DASHURI E VERBËR


        Isha mësues në shkollën e mesme, kur u njoha rastësisht me inspektorin e ri të arsimit. Ai ishte një djalë shpirtpastër dhe simpatik me kuptimin e plotë të fjalës. Me shtatin e derdhur, flokët e zinj dhe me fytyrën pakëz të zeshkët, tërhoqi si me magnet brenda një kohe relativisht të shkurtër sytë e të gjitha vajzave përqark. Emri i tij Visi, përcillej sa te njëra, te tjetra, duke ndezur te secila një buzëqeshje të ëmbël. Nuk di ç’i pëlqeu atij për tu afruar tek unë, qysh në takimin e parë me filxhanët e kafes përpara. Ndoshta biseda e çiltër dhe sqarimet që i bëra si i ardhur rishtas në atë detyrë.
Takoheshim herë pas here krejt rastësisht dhe më ftonte ose për kafe, ose kishte dëshirë ta zgjaste paksa bisedën në rrugë. Por dhe unë, duke parë se i kisha ngjallur interes me natyrën time të shqiptimit troç të dukurive, si më i madh në moshë prej tij, mundohesha ta kënaq me mendime intelektuale, të cilat vëreja se i lakmonte.
- E kam grurë me shefe Këzen!- ishte konstatimi i parë që më shprehu ai për detyrën e re.
Ky konstatim i tij më kënaqi, ndonëse duke e njohur ftohtësinë autoritare të shefes edhe më habiti paksa.
Pas tre muajsh kontaktesh të kësaj natyre, Visi kërkoi të më fliste për një shqetësim të dukshëm edhe në sytë e tij dhe zumë vend në një tryezë të veçuar, te një bar-kafe ku ai më çoi me ngulm.
- Më ka gjetur belaja me shefen!... - e nisi ai shpalosjen e hallit të vet.
Shefja e arsimit për të cilën po më fliste, ishte një beqare e staxhionuar, mbetur pa martuar deri te të dyzetat, për shkak të fytyrës paksa burrërore, me faqe të fishkura dhe me sy shigjetar, që më tepër të tronditnin, se sa të afronin për t’u ndalur para autoritetit të saj të trashëguar qysh në lindje.
- Që ditën kur hyra i emëruar inspektor në zyrën e arsimit, ajo më caktoi të punoj në tryezën përballë vetes dhe u deklaroi të gjithë inspektorëve të tjerë, se në mungesën e saj, do ta zëvendësoja unë për çdo problem zyre. Ndonëse isha më i riu në moshë mes inspektorëve. Madje edhe në, prezencën e vet, ajo i drejtonte tek unë drejtorët e shkollave apo mësuesit me ankesa, duke më prezantuar si krahun e djathtë të saj. Kuptohet, edhe unë për këtë vlerësim të madh që po më bënte, qysh në fillimet e ushtrimit të detyrës sime, u vura para detyrimit shpirtëror të tregohesha sa më i ngrohtë e mirënjohës në marrëdhëniet e vartësisë me shefen. Veç buzëqeshjes së stampuar në fytyrë, qysh nga krijuesit e mi, i bëja të gjitha respektet shoqërore. Madje deri te blerja e byrekëve të ngrohtë, për t’i ngrënë në zyrën e përbashkët, ku ajo mbyllte derën, derisa sa të mbaronim sillën e mëngjesit. Më fliste me entuziazëm dhe i përgjigjesha me përzemërsi, duke krijuar kësisoj në zyrë një atmosferë tejet gazmore. Madje duke e pasur dhomën time prej beqari te një apartament në largësi, ku e kapte syri i saj, ajo më thoshte të nesërmen kur shkoja në zyrë edhe orën në të cilën kisha fikur dritën për të rënë në gjumë atë natë. Pas ca kohësh, kur shkova në shtëpi, i thashë edhe mamasë sime, se më ishte bërë nënë e dytë shefja, e cila më gjendej pranë me shqetësimin dhe përkujdesjen e një nëne të vërtetë. Prindërit u qetësuan mjaft shpirtërisht për fatin tim të mirë në jetë, menjëherë pas mbarimit të studimeve për matematikë e fizikë...
- Sa mirë! - ndërhyra unë, duke ditur se Këzja nuk para shtrohej në miqësi të tilla me vartësit e saj, siç po dëgjoja këtë përjashtim.
- Dale, se ky ishte fillimi! - më ndali Visi për të vijuar shpalosjen e shqetësimit të tij më tej. – Me kalimin e kohës, vura re, se femrat dhe sidomos mësueset e reja që hynin në zyrë, jo vetëm nuk i drejtonte tek unë për zgjidhje problemesh, por ua priste shkurt dhe i përcillte pa arritur të kthenin as kokën drejt meje. Megjithatë, ende nuk kisha zbuluar tërësisht natyrën dhe karakterin e saj, për të dalë në një përfundim logjik dhe për të nxjerrë rrënjën katrore të llogaritjeve të mia, për mbulesën që po më bënte ajo me V -në e saj krahëzgjatur, ku po e vendoste këtë rrënjë. Besoj e ke parasysh...
- Po, po, e kuptova krahasimin tënd me shkronjën V, nën sqetullën e së cilës vendoset rrënja katrore, se dhe unë i letërsisë, kam bërë ca matematikë në gjimnaz.- i thashë për të mos u zgjatur me shpjegimet e tij në këtë fushë.
- Por gjithsesi, nuk mund të më shkonte mendja kurrsesi për ndjesi të tjera mes nesh, veç një shoqërie të sinqertë mes kolegësh të një zyre. Mirëpo erdhi një ditë, kur shefe Këzja, më kërkoi t’i jepja të paketuara këmishët dhe të brendshmet e mia për të t’i larë e hekurosur. Kjo më vuri disi në dyshim dhe veç kësaj u ndjeva tejet i rënduar për këtë pozicion të panatyrshëm, që shkonte përtej shoqërisë prej kolegësh, në të cilin po vihej ajo. Megjithatë ende isha larg zbulimit të së vërtetës. Madje ndodhën edhe disa raste të tjera, që nuk ia vlen të zgjatëm, por do ndalem te ngjarja e fundit. Ne erdhëm bashkë pardje, në atë mbrëmjen e vallëzimit që na kishte ftuar drejtori i gjimnazit tuaj me rastin përvjetorit të shkollës. Në orën e vonë kur dolëm dhe e shoqërova shefen deri afër pallatit të saj, ajo mu afrua krejt papritmas dhe duke ma shtrënguar kokën fort me të dy duart, më puthi me një lloj pasioni të dridhshëm që më mahniti, aq sa më la pa gojë për disa çaste...
Mua më shpëtoi një gaz i papritur, i cili detyroi Visin të heshtë për pak sekonda.
- S’kishte faj e gjora shefe, paskishte rënë në dashuri qyqarja dhe e mori nismën e para, duke menduar se ty të mungonte guximi! - i thashë krejt i befasuar.
- Pikërisht. - pohoi ai dhe vijoi: - Me thënë të drejtën mua më erdhi ndot kur më la në gojë jargët e dhëmbëve të saj të prishur, me ato buzë të fishkura prej gjysheje dhe pështyva anash. - Ç’farë po bën, shefe Këzja? - i thashë tejet i tronditur nga gjesti i saj tashmë krejt i kthjellët, sepse aty te mbrëmja juaj, nuk kishte pirë asnjë gllënjkë verë, që mund të mendoja se ishte e pavetëdijshme.
-Pse, ti nuk më dashuron, siç të dua dhe unë?!- pyeti ajo me një zë që në atë heshtje nate, m’u duk si bubullima e shkreptimës që sapo ndjeva te sytë, në çastin kur më puthi me forcë.
- Si mund të dashuroj nënën time! - i thashë ende i tronditur nga sjellja e saj për të më bërë dashnor me zor, kur më silleshin përqark gjithato mësuese të reja aq marramendëse dhe u bëja bisht për të mos abuzuar me detyrën...
Mirëpo kur dëgjoi fjalën “Nënë” me të cilën e emërtova, ti nuk do të më besosh, se si ajo lëshoi një turfullimë të egër, e cila m’u duk gati si angullima e një arushe të sëmurë në thellësi të pyllit.
- Nëna jote unë?!...- shqeu sytë ajo, aq sa kokërdhokët i ndritën si dy vezë zogjsh.
- Po, - i thash me zë të dridhshëm, unë jam njëzetedy vjeç dhe aq sa ju, zonja shefe, kam mamanë time!...
Ajo mori frymë thellë dhe gati duke më gllabëruar me sytë e saj të egërsuar, klithi:
- Shporru, dhe mos më dil më përpara syve! - pastaj iku për te pallati i saj si e tërbuar.
- Kam dy ditë që nuk shkoj dot në zyrë! - rënkoi i riu Visi me zë të dridhshëm, gati duke lotuar.
-Mos u mërzit, djalosh! - i thashë duke i fërkuar krahët. - Merre shtruar, se në jetë ke për të pasur edhe raste të tjera, kur eprorë të tillë verbohen nga fjalët “urdhëro !”, “ si urdhëron!” të vartësit për t’iu bindur karriges, apo nga ngritja e dorës së ushtarit për të nderuar gradën e tyre dhe i marrin ato për dashuri!...