KOSA QË KOSITI KOKA

Tregim

            Kosa e mprehur mirë në kudhrën e skuqur me prushin e “Zjarrit të Proletarëve” quhej Kosta  Petrani. Ishte një kosë prej çeliku gri që xixëllonte shkëlqimin e mprehur hollë dhe u fuste dridhmat në palcë të gjithë poetëve të Luginës Lindore.

            Ditën që dy poetët e Barzenës u dënuan me heqjen e kokave, kosa Kosta Petrani lëshoi mbi kokat e sallës së gjyqit një rrezatim të zi. Teksa lexohej ekspertiza ideore prej pesë faqesh, e këtij specialisti të kosave, që i cilësonte ata dy pëllumba fatzinj të poezisë si armiq të “Saharës” shqiptare unë ndodhesha nga  mesi i sallës. Sapo mbaroi leximi i tmerrshëm, kosa Kosta hodhi një vështrim të vëngër nga unë, me të cilin la të  kuptohej se pas tyre më kishte ardhur radha mua, që kisha shtypur vjershat e tyre me “Olivettin” tim të vjetër për t’i vënë te tabela e letrarëve të rinj të shtëpisë së kulturës. Ai vështrim prej kobre më futi dridhmat në të gjithë trupin me një intensitet të tillë, që as tërmeti dhjetë ballësh nuk do të më kishte tronditur më tepër.

            Dita e heqjes së kokave të dy poeteve erdhi shpejt. Polici i qenit gjurmues të degës, që ishte komshiu im, më tha rastësisht në mëngjes:

            -Në tre gërmime te mali i Zgarës doli shkëmb i zi dhe mezi i kemi varrosur për gjithë natën.

            -Thanë gjë para vdekjes?

            -Nuk folën fare, po s’donin të vdisnin me tre breshëri plumbash. Plumbi i katërt në kokë i komandantit të skuadrës së pushkatimit i palosi përtokë...

            M’u bë një shkëmb i zi në gjoks. Po atë pasdite u trishtova me dhimbje zemre kur pashë se u kthyen të lara me lot nënat e tyre shamizeza, që kishin shkuar t’i luteshin Strategut të madh t’u falte jetën. Oficerët e gardës, jo vetëm nuk i kishin lënë të afrohen te muri rrethues, por dhe i kishin përzënë me shkopinj gome. 

            Prita me ankth ditën kur do të më vinte dhe mua radha e llahtarshme e plumbit të katërt në kokë. Ishte një pritje që i ngjante asaj të të dënuarve me vdekje në hekurat qelive të burgut. Më bëheshin çdo natë në gjumë një mori kosash që ngriheshin mbi kokën time si shpatat e gladiatorëve nëpër filma lashtësie. Dhe atëherë zgjohesha i tmerruar duke frikësuar keqas gruan dhe fëmijët.

            - Shpejt, lutju tavanit, !- më thoshte gruaja e alarmuar.

            Dhe unë çoja kryet nga tavani me kallamishte të suvatuara, ku mendoja se ishin montuar çimkat përgjuese të sigurimit dhe bëja ritualin:

            - O feneri i madh ndriçues i jetës sonë, që ndriçon gjithë botën nga Tirana me dritën e kuqe të marksizëm-leninizmit, më shkri edhe mua në dritën tënde jetëdhënëse, që të bëhem një rreze drite e bashkuar me tufën shumëmilionëshe të këtij feneri në dorën heroike të Strategut tonë të lavdishëm....

            S’kishin kaluar as tri javë, kur më thërret në zyrë Kosëtari i Parë i godinës së partisë, që quhej Marko, një merceolog trupmadh. Me flokë të verdhë të lëpira anash, me vetullat e verdheme, me dy sy gri të mprehtë dhe me egërsinë e shprehjes së fytyrës, ai kishte pamjen e një nazisti. Një shoku im hokatar, sa herë e shihte në horizontin e largët të bulevardit kryesor të qytetit, përsëriste lehtë nderimin nazist: ”Zig hail!“

            Para tij qëndrova krejt i qetë, duke menduar se jam thirrur për ndonjë punë. Por kur nxori nga sirtari revistën “Ylli” ku ishte botuar një cikël me poezi të mia dhe filloi të kërkonte shpjegime për poezinë “Ndodh edhe dielli” u shtanga krejt i  befasuar.

            -Ç’do të thuash ti me këtë vjershë? - ishte pyetja e parë e Kosëtarit, i cili kishte marrë impulse nxitëse për parregullsi ideore të kësaj poezie nga kosa Kosta Petrani, që jo pa shkak më kishte vështruar vëngër në  sallën e gjyqit të tmerrit.

            -Atë që thotë vjersha ! - i thashë duke u rrekur të mposht turbullimin.

            Ai më kundroi qortueshëm me një vështrim të rëndë.

-Domethënë drita diellore e partisë tonë qenka e mërzitshme për ty ?

            Nënqesha instinktivisht, duke menduar se ky ishte një konstatim i mjerë i një njeriu që dinte të interpretonte llojet ushqimore dhe kujtonte se edhe poezitë janë si frutat e zarzavatet. Apo që kujtonte se mund të nxirrte Partinë nga rrezet e diellit, siç nxirrte krunden nga rrezet e miellit.

            -Më bëhet qejfi shumë që ju lexoni poezi, - i thashë me një buzagaz të shtirë.  

            -Di ti, po dimë dhe ne ! - tha Kosëtari nazist me ton të ashpër.

            -Nuk thashë se ju nuk dini, - shtova menjëherë - Po duke menduar ngarkesën tuaj me punë të shumta, shpreha kënaqësi që gjeni kohë për të lexuar edhe vjershat tona...

            Nuk e priti mirë as këtë frazë timen.

            -Ti kujton se duke i spërdredhur fjalët si të do qejfi, mund të tallesh me diellin e partisë?...- shfryu me një tonalitet që binte erë padituri dhe arrogancë.

          -Ju lutem, shoku Marko, më vjen keq të bëni një interpretim të tillë, kur vjersha nuk e thotë këtë në asnjë fjalë, por shpreh dashurinë përvëluese të dikujt, e cila nuk i bën përshtypje partnerit që s’e do. Unë partinë e shoh tek njerëzit, tek veprat, kudo në tokë, por jo te dielli përvëlues i kozmosit.- thashë me keqardhje të sinqertë, duke menduar se mund t’i qartësoj sadopak keqinformimin e kosës Kosta Petrani.

            -Mirë, mirë, do ta shohim ! Ik tani !- tha ftohtë, duke më përzënë nga zyra edhe me lëvizjen përçmuese të dorës.

            Dola jashtë krejt i verbuar. Dielli i shndritshëm i atij mëngjesi, ishte ngritur lart në qiell dhe prej andej derdhte mbi tokë flakën e tij të lëngshme. Te trotuari i tregova gjithçka shokut tim që ishte drejtor i gjimnazit. Ai ma lehtësoi disi dyshimin e llahtarshëm që më kishte kapluar. Kjo është fantazi e merceologut Zig hail, - tha ai-  sepse askush nuk ka të drejtë  të mendojë e të thotë budallallëqe të tilla për atë poezi.

            Të pasnesërmen më erdhi lajmërimi me firmën e vetë kosës Kosta Petrani, që ishte kryetari i degës së lidhjes së shkrimtarëve të Luginës Lindore, se duhej te paraqitesha patjetër në mbledhjen e zgjeruar të forcave krijuese. Dridhmat shtuan intensitetin në çdo milimetër të perimetrit tim prej mishi dhe kockash të hallakatura nga terrori psikologjik dhe pagjumësia.             

 Gjithçka u kuptua kur instruktori i ardhur nga kupola qendrore e fenerit të madh të Tiranës dhe i prirë nga Kosëtari i Parë i Luginës sonë zunë vend në tryezën kryesore. Kosëtari thirri në tryezë edhe kosën Kosta Petrani, si veglën e tij, të njohur për vargjet deklarative: “Le të rrjedhë çeliku për dyfek e plugje/ le të pëlcasë armiku,/ moj kala e kuqe“ me të cilat u vu përmbi të tjerët. Ai ishte një krijesë zvarranike që e kishte çarë rrugën duke rrëshqitur si krimb, nga një letrar i zakonshëm, deri te kryetari i forcave krijuese. Por shumë nga qenia e tij kishte mbetur ende krimb, që gërryente në tulin e trurit tonë krijues për të na krimbur të gjithëve nga brenda. Prania e kosës së tij më trembi më shumë se kushdo tjetër, sepse si ekspert i Degës së Brendshme, ai u kishte vënë vulën si krijime të gabuara ideologjikisht dhe krejt armiqësore vjershave të poetëve të Berzanës, kositja e kokave të cilëve kishte gjakosur edhe krejt atmosferën e Luginës sonë.

            Kosëtari i Parë prezantoi instruktorin e dërguar nga truri ideologjik i kupolës kryesore të fenerit dhe tha se nën frymën e Plenumit të Katërt, do të diskutohej për ndikimet e huaja në letërsi e arte edhe me krijuesit e Luginës Lindore. Pasi hodhi një sy të përgjithshëm nëpër sallë, Kosëtari Marko shtroi pyetjen: 

            -A ka edhe në krijimet tuaja nga ato të meta që shtroi Plenumi i Katërt? - (Mu më tingëlloi: Plumbi i Katërt)

            Një copë herë askush nuk mori guximin të fliste.

            -Duhet të flasim të gjithë pa përjashtim! - ngulmoi ai, -Kush ndjen se ka ndikime, të shprehet lirshëm, për ta pastruar veten!

            Pas një pauze të shkurtër, u çuan njëri pas tjetrit disa pseudokrijues që nuk kishin arritur të publikonin asgjë nga zhgarravitjet e tyre. Më në fund, Kosëtari drejtoi vështrimin nga unë dhe më thirri me emër:

            - Po ti, ndjen se ke ndonjë të metë në krijimet e tua ?

            I mbushur deri në grykë me armatimin tim kundërshtues, u çova dhe thashë së pari:

            -Mosarritje artistike mund të kem edhe unë si gjithë të tjerët, po gabime ideologjike jo.

            Kosëtari i Parë shqeu sytë dhe hapi me vrull faqet e revistës.

            -Po ky dielli i partisë që bëhet i mërzitshëm këtu, nuk të duket gabim ty?...

            -Ai aty është dielli i qiellit, jo i partisë, - thashë vendosmërisht.- Fjala parti s’është kërrkund aty dhe as mund të nënkuptohet, përderisa flitet për dashurinë midis dy të rinjve.

            -Thellohu, thellohu !- urdhëroi rreptë Kosëtari Marko, që siç kërkohej zakonisht, unë të futesha me këmbët e mia thellë e më thellë gabimeve të paqena, të cilat do të më çonin në kasaphanën e Plenumit të Katërt si dashin te kasapi. Këto i dinte ai, po i dija dhe unë...

            -Jam ngacmuar nga tragjedia e një oficeri gramshiot, që vrau në korridorin e konviktit të universitetit ish të fejuarën, e cila nuk e donte. Duke gjykuar se ai nuk kishte të drejtë të impononte dashurinë e tij sado e flaktë të ishte... Dielli kozmik mund të bëhet në poezi pjepër, bukë misri, dajre e gjithshka tjetër në varësi të subjektit poetik që përdor dhe s’kam pse akuzohem për cënimin e figurës së partisë...- vijova duke ndjerë se sytë po më xixëllonin nga sikleti. Dihet si punon truri në raste të tilla.

            -Ja të pyesim edhe kryetarin tuaj që është poet i afirmuar, - iu drejtua kosës së vet Kosëtari Marko.

            Në gjysmëerrësirën pas shtyllës së sallës ku ndodhej karrigia e tij, kosës Kosta Petrani i shndriti tehu i syve si sytë e ujkut në muzg. Ai u përtyp një grimë, uli vetullat e trasha dhe zgjati buzët që u jepte formën e hinkës sa herë matej të fliste.

            -Ashtu është, dielli është fiksuar në art si simbol i partisë dhe nuk mund të gatuhen figura negative për të...- tha me një zë të zvargur e me harenë e grabitqarit që i ka dalë gjahu në shteg.

            Atë çast të tmerrshëm m’u duk sikur në vend të gojës së tij, u hap prapanica e një  lope dhe lëshoi produktin e njohur. Asnjëherë nuk i deshi ata që shkruanin më mirë se vetja. Për ta, ai vetëm një gjë kishte në kokë, t’ua gërmonte fshehtas. Truri i tij punonte si një kurth i vërtetë dhe shpirti i tij ishte i mbushur me smirë, sa një ferrë e mbushur me gjemba. Në atë tronditje të fuqishme, kur koha pushoi së qëni kohë dhe hapësira nuk ishte më hapësirë, unë nuk arrita ta komandoj më veten. Gjithë jetën kisha pasur frikë nga plumbi, po tani që isha vënë para skuadrës së tyre të pushkatimit, frika ime u zbeh krejt. Sepse edhe vdekja m’u duk më e ndershme duke zbrazur të gjithë arsyetimin e trurit, për të shfryrë dufin e për ta mbrojtur veten si burrat.

            -E more Jago, se ti i thur këto intriga! – ia plasa, duke menduar se ngulmonte të më bënte patjetër kurban të kosës së tij edhe mua si ata dy të mjerët.       

-Mos ofendo të tjerët, se për ideal të vura hekurat që këtu !- klithi me nervozizëm Kosëtari i Parë, fytyra e të cilit u shtrembërua keqas dhe sytë e bardhë sikur i dolën nga orbita.

            Nga fjalët e tij ndjeva te veshët oshtimën e plumbit të katërt në malin e Zgarës dhe m’u duk sikur kafka më shpërtheu në dhjetëra copa.

            -Ai si mësues letërsie s’duhet ta thotë këtë, se e di mirë që simbolet letrare krijohen brënda nëntekstit, jo në mënyrë shabllone. Askush nuk mund të mohojë faktin se dielli para se të bëhet simbol, është njëri nga trupat qiellor dhe gjithësesi për ekzistencën e tij kozmike do të flitet patjetër,  - u përpoqa ta zbut edhe me shprehjen e pamjes sime.

            Vijuan të japin mendimet e tyre edhe disa amatorë, apo ndonjë i vetëquajtur krijues. Madje një ushtarak, që pretendonte prej dhjetë vjetësh se po shkruante një dramë, tha, pse isha treguar aq mendjemadh e nuk kisha shkuar të konsultohesha me të, që si oficer kishte një përgatitje të lartë ideopolitike. Nja dy, me të cilët kisha pasur shkëmbime fjalësh të ashpra, filluan të hidhen drejt meje si karkalecat. Disa të padëgjuar të tjerë u bënë aq të mëdhenj aty, saqë të linin përshtypjen se ishin gati t’i zinin vendin Kadaresë dhe Agollit. Vetëm regjisori i shtëpisë së kulturës dhe drejtori i gjimnazit më mbrojtën fuqimisht, duke shprehur konsiderata se kisha botuar krijime të atij niveli që ishin recituar në skenë e në RTV. 

            Nga vlerësimet e tyre mora zemër dhe vijova të pastroj të gjithë baltën që më ishte hedhur.

            -Në qoftë se do të thosha “Parti o dielli i jetës sonë” dhe pastaj të përdorja vargun për të cilin më akuzoni, atëherë gaboja vërtetë. Po të merret në sensin sipërfaqësor se dielli është Partia, atëherë del se dielli perëndon, kurse Partia jo. Dielli ka njolla të errëta, partia jo. Dielli është një trup qiellor i zjarrtë, të cilit sa më shumë t’i afrohesh, të djeg e të shkrumbon. Kurse partia sa më shumë t’i afrohesh, të fut në gjirin e saj e të lartëson...

            Nëse e gjitha ajo që po ndodhte aty nuk ishte veç një moskuptim apo keqkuptim i tyre, atëherë duhej të rishqyrtoja të gjitha sa kisha besuar deri atë çast dhe të mendoja plotësisht se ata që dënoheshin politikisht, pushkatoheshin apo burgoseshin, ishin fajësuar krejt kot.

Gjyqi im vazhdoi katër orë, gjatë të cilave herë më fundosnin thellë dhe herë dilja në sipërfaqe, duke qenë i bindur se isha vaj, që sado me ujë të më mbulonin, do dilja sërish përsipër.Më në fund, e mori fjalën instruktori i kupolës së madhe të Tiranës, i cili, çuditërisht i qenësishëm deri në atë çast, kishte heshtur krejt, duke mbajtur shënime në bllokun e tij për gjithçka flitej aty. Ishte një mesoburrë, me flokë të zbardhur anash, me sy të kaltër e vetulla të shtrira.

            -U përgëzoj për diskutimet serioze e me shqetësim qytetar, - tha me një ton të qetë që dëgjohej fare mirë në qetësinë totale gjatë kohës që fliste. - Lidhur me poezinë “Ndodh edhe dielli“ e kuptoj edhe unë ashtu siç e shpjegoi krijuesi i saj. Në nëntekstin e vet vjersha nuk ka Partinë dhe as mund të nënkuptohet ajo aty. Megjithatë, duhet bërë kujdes kur përdoren simbole negative të tilla, që njerëzve të mos u shkojë mendja te Partia. Nuk ia vlen të zgjatemi më tej për këtë çështje. - përfundoi duke e kuptuar fare mirë se smira e kosës poetike spiune dhe hekurat e nazistit Marko nuk bënin për duart e mia të buta. Megjithatë, arsyen pse pranoi ai instruktor kompetent të vinte aty për të diskutuar atë poezi fare të qartë për të, unë s’kam për ta ditur kurrë. Por mendoj se ndoshta truri i atyre partiakëve ishte sajuar në atë mënyrë që të shihnin te subjekti artistik edhe të keqen edhe të mirën njëkohësisht. Pas kësaj ai u çua menjëherë për të dalë.

            -Ne nuk e bëmë mbledhjen për autorin e kësaj poezie, - shpejtoi të thotë Kosëtari i Parë duke nxituar të dilte pas tij.

            -Që e bëtë për mua, e tregon revista”Ylli” që keni marrë me vete, - shpejtova t’i përgjigjem, gati duke fluturuar nga gëzimi, që nuk arritën dot të më rrëzojnë nga teli i “mëkatarëve” që ishte tendosur mbi kazanët me bitumin përvëlues të ferrit ideologjik.

            Ai rrudhi buzët dhe në ikje e sipër sytë i lëshuan një ndriçim të keq.

            Disa ditë më vonë u mblodh plenumi i partisë me ajkën ideologjike të fshatrave të Luginës dhe kryetari spiun i forcave krijuese në diskutimin e tij kishte përmendur sërish emrin tim si autor me shkarje ideore. Ndonëse e kundërshtoi drejtori i gjimnazit që ndodhej në atë mbledhje, me argumentin se kjo çështje ishte sqaruar nga lart. Shpesh kam menduar se ndoshta kundërshtari im shterp, meqë kishte shumë vjet që s’po botonte dot gjë, i kishte inat të tjerët, sikurse një qen që ruan një mullar me bar të thatë, i cili vërtetë s’mund të hajë vet asgjë, po nuk do as të afrohen as të tjerët dhe leh deri larg.

            Sikur të mos mjaftonte e gjitha ajo që ndodhi, Kosëtari Marko, që s’donte kurrsesi të shkonte imja, kishte lajmëruar redaksitë qendrore të mos më botonin asgjë, si krijues i kritikuar në plenumin e rrethit për gabime ideologjike. Përgjigje këto që më jepeshin në konfindencë nga botuesit njëri pas tjetrit. Kjo zgjati pesë vjet. Derisa erdhi dita që Kosëtari u dërgua për të nxjerrë rrezet e miellit në ministrinë e tregtisë, sepse analizat e rrezeve të diellit ishin tepër të vështira për paaftësinë e tij shkatërrimtare. Madje dhe kosa Kosta Petrani u transferua në Tiranë për të mbajtur nën tehun e frikës talentet e reja të lidhjes së shkrimtarëve. Por eshtrat e poetëve të varrosur te toka shkëmbore e malit të Zgarës vazhduan të akuzojnë kosën e tij të gjakosur deri në pafundësinë e tretjes së tyre.