NEPËRKA                           DHE NUSJA

 
        Thuhet se natyra ia ka dhënë helmin gjarprit, thjesht për vetëmbrojtje nga kundërshtarët e vet. Pasi në të gjitha rastet e shfaqjes para syve tanë, ai rrëshqanor i rrezikshëm nuk sulmon, po nuk e sulmove dhe nuk godet pabesisht, kur nuk i afrohesh befasisht. Këto konstatime i kam të provuara saktësisht edhe me përvojën time jetësore, por sidomos me një ngjarje tepër rrëqethëse.
Si fillim, është nevojshme të bëj të qartë, se në fëmijërinë time shfaqja e gjarprit në rrugicën me diell, apo në shtegun ku rrëshqiste me panik për t’u fshehur, më është shoqëruar gjithmonë me një dridhtirë tmerri, nga e cila, ose më ka shpëtuar shurra rrëzë pantallonave të shkurtra, ose më është bllokuar frymëmarrja për të ndaluar vrapin sa më larg tij. Më saktë, kam qenë një frikacak i klasit të parë. Dhe as vetë nuk e kuptova, se si pas pak kohësh ndodhi e pabesueshmja, u bëra miku më i ngushtë i gjarprit, aq sa t’i bëja fole të më flinte në gji, ngjitur me lëkurën time të hollë. Dhe ja, si ndodhi kjo çudi e pazakonshme për një djalë rreth tetë vjeçëve?...
Në shtëpinë tonë, të trashëguar nga gjyshi në fshatin Karahaxh, (prejardhja nga Kara Haxhi “ Haxhiu i zi “) dhjetë kilometra larg Sarandës, ku ne shkonim gjatë stinës së verës, erdhi një babush teqeje me mjekër të bardhë, të madhe e të gjatë deri afër brezit. Dukej në ecje e sipër, sikur lëvizte një mullar me kashtë gruri. Ai e njihte babanë si mësues i atyre anëve dhe i pëlqente të shkëmbenin mendime bashkë. Duke vënë re se isha tepër kureshtar për atë dukuri të leshtë që mbulonte krejt pjesën e përparme të pamjes së tij, ai më lejonte ta zija për mjekre, madje edhe ta lëmoja njësoj sikur të ishte ndonjë cjap manar. Dervishi filloi të më donte si djalin e tij, më lëmonte kokën dhe më mbante pranë vetes, duke më treguar ndodhi të çuditshme, të cilat në atë moshë nuk i kuptoja, por diçka fantazoja me mendjen time të ujshme.
Një ditë, teksa babai ishte duke bërë disa meremetime me gozhdë e sqepar në tavan, ai më mori përdore dhe dolëm nëpër kopshtiet përqark kodrës ku ishte shtëpia jonë. Diku te një ferrë e ulët, sytë e tij të murrmë dalluan një nepërkë lara-lara, e cila e bëri mjekroshin të gëzohej si fëmijë dhe mua prapa krahëve t’ia mbath vrapit në çast.
- Qëndro aty!- më bërtiti babushi befas me një ton të rreptë, të pazakonshëm. - Unë do ta bëj këtë bukuroshe laramane, jo të na hajë ne, po të kërcejë vallë në dorën tonë...
Këto fjalë të pabesueshme më bënë të kthehem i ngarkuar me kureshtje, për të parë i tendosur disa metra më tej, si do t’i bënte këto marifete mjekërmadhi fantastik.
Ai mori një shkop furkaçe, nga ato që ne fëmijët bënim llastiqe për të vrarë zogj dhe me të ia ngjeshi kokën përtokë. Pastaj i kapi kokën me dorë dhe kur e ngriti lart, nepërka iu mbështoll e gjitha rreth dorës së shpërveshur deri te bërryli. Atëherë unë ndjeva disa pika urine që njomën mbathjet e mia dhe po prisja kur babushi mjekërmadh do të këputej i vdekur përtokë, si mullar kashte i përmbysur nga era.
Kjo jo vetëm nuk ndodhi, por duke parë fytyrën time të rrudhur nga tmerri, ai qeshi me ton të lartë dhe me nepërkën përqark dorës gjithë damarë të ngritur nga shtrëngimi i saj, më tha:
- Shikoje pa frikë, se do ta urtësojmë, këtë kafshë njësoj si atë macen me të cilën loz ti!
- Ç’kafshë, thua ore babush, po ajo nuk ka katër këmbë si macja, dhia apo delja? - i thashë unë me zë të dridhshëm.
- Këmbë kjo ka bishtin, që e shtyn trupin përpara me shkathtësinë që nuk e ka asnjë kafshë tjetër. - u gjegj ai dhe vijoi: - Eja tani të shkojmë te shtëpia ta bëjmë të nusërojë këtë zonjë pikaloshe të bukur.
Ai tha “zonjë” dhe unë thashë me vete, të kisha t’ia shtypja kokën me gurë asaj vrrome të pështirë.
Kur shkuam te shtëpia nëna ime u step, duke kundruar me sy të shqyer baba dervishin me nepërkën të mbështjellë përqark dorës.
- Mos u tremb, zonjë, - i tha ai nënës - nuk ha njeri kjo. Ja, do ta shohësh. Vetëm më sill një filxhan dhe një copë të vogël të leshtë, sa t’i zbut pak inatin.
Kur dëgjova sërish fjalën “zonjë”, mendova me zemërim, si ky njeri që hante bukë me babanë tim, përdori për nënën time të njëjtën fjalë “zonjë” që kishte përdorur edhe për nepërkën. Nëna ime që nuk vriste asnjë mizë, ishte zonjë mbi zonjat e vërteta dhe jo nepërkë e pështirë që kapte bretkosat për fyti nëpër kanale të pista dhe i kullufiste. Ai mjekërosh duhej ta lante njëqind herë gojën te burimi e t’i kërkonte falje nënës, që e kishte barabitur me nepërkën.
Nëna tepër e druajtur, i solli atij mjetet që kërkoi dhe ne të dy të shtangur te njëri-tjetri po vështronim nga larg me habi e tmerr çdo të bënte ai çudibërës me laramanen vdekjeprurese.
Dervishi ia kapi kokën me dy gishtat e parë dhe ia shtrëngoi fort, sa iu hap goja dhe i futi te dhëmbët cepin e copës së leshtë, duke e mbajtur pingul mbi filxhan. Nepërka kafshoi copën e leshtë dhe lëshoi nëpër fijet e saj një curril helmi të verdhë mbi filxhan. Si e mbaroi këtë punë të llahtarshme, babushi nxori me dorën tjetër nga xhepi një pincetë të vogël dhe duke ia shtypur gojën, sa iu hap si ndonjë fik i çarë, i shkuli dhëmbët me kujdes. Pastaj qeshi i gëzuar dhe e futi nepërkën brenda asaj këmishës së tij, më të bardhë se mjekra gri.
Nëna klithi:
-Uauuu, ç’bëre ashtu, more derëzi, se do vdesësh!...
Dervishi vazhdonte të qeshte. Por duke vënë re, se ne të dyve na u bë fytyra në ngjyrën e dheut dhe ndjeheshim keq nga ky veprim, futi dorën në gji, e nxori nepërkën dhe shkoi e lëshoi te ferrat poshtë kopshtrave. Më pas erdhi në shtëpi, e hodhi helmin në një shishe të vogël me tapë, duke lënë fare pak në filxhan. Ai i kërkoi nënës një lugë sheqer dhe ujë sa për të mbushur filxhanin. Atëherë më tha mua fjalën më të tmerrshme, që na bëri të dridhemi të dy me nënën.
- Pije, si trim, se kjo do të bëjë që të gjithë gjarpërinjtë të ndërrojnë udhën kur të të shohin ty me sy !
- Jo, jo, mos ja jep djalit!- kërceu nëna prerazi dhe më tërhoqi pas vetes.
- Jo! - thashë edhe unë i vendosur të mos e pi kurrsesi.
- Unë, moj zonjë, e dua djalin tuaj të zgjuar, jo më pak se ju që i keni bërë kokën! - iu drejtua ai nënës me përulje. - Po me këtë ilaç që e kam bërë në trupin tim dhe tek shumë të tjerë, ky djalë fiton imunitet dhe nuk pëson kurrë gjë të keqe nga helmet e gjarpërinjve.
Nëna u lëkund pakëz dhe mjekërmadhi m’u drejtua mua:
- Pije si burrë, se kam folur edhe me babanë, apo do që ta zbresim nga çatia të të thotë me gojën e tij?
Babai dëgjoi nga tavani ku punonte dhe zbriti shkallën një çast.
- Duhet ta pish me dëshirë, biri im, se është për të mirën tënde!- më tha butësisht duke rregulluar syzet.
Unë sërish ngurova i pavendosur dhe sakaq dervishi e ktheu vetë filxhanin, që humbi një çast te goja mes mustaqeve dhe mjekrës së tij.
Më tej u desh rreth një orë, pasi ai kishte mbetur ende gjallë, që ne të dy me nënën të bindeshim ta pija edhe unë dozën e parë të helmit me sheqer. Dhe pasi e rrëkëlleva poshtë, të them të drejtën, më pëlqeu. Nuk ishte aspak i hidhur, si disa ilaçe që më jepte nëna kur ftohesha, apo kur më zinte gripi. Dhe kura kundra pickimit të gjarpërinjve vazhdoi, duke rritur dozën nga një pikë çdo ditë, derisa shishja e vogël u boshatis krejt.
Atëherë baba dervishi më mori me vete dhe dolëm rrëzë kopshtijeve me ferra të kërkonim gjarpërinj për provën e tmerrshme. Por dy ditë me radhë nuk gjetëm asnjë për be. Ditën e tretë ai pikasi një nepërkë të vogël dhe pasi ia fiksoi kokën, më tha mua ta kapja me dore pa frikë. Me gjithë frikën e zbutur, ai më kishte injektuar edhe besim. E zura nga koka dhe ajo m’u mbështoll te krahu. Ashtu, me nepërkën në dorë, shkuam në shtëpi dhe pasi bëri veprimet si herën e parë, ai më tha ta futja dhe unë nën këmishë. Ah, jo, këtë s’kisha guxim ta bëja kurrë, t’i jepja liri nepërkës të më sillej nëpër lëkurën e trupit si t’i donte qejfi, e po t’i tekej të shijonte mishin tim, sikur të isha ndonjë bretkosë kanalesh...
U stepa për disa çaste. Por m’u kujtuan kalamajtë frikacakë të fshatit greqishtfolës dhe sidomos nusja ime bukuroshe me fustanellë të bardhë, më te cilën më kishin martuar në lodrat dasmore të fëmijëve. Do t’i lija me gojë hapur të gjithë djemtë dhe vajzat e vogla minoritare. Do t’u tregoja të tërëve, sa trim isha dhe pasi të nxirrja nepërkën triumfalisht, do ta puthja fort nusen time të dashur. Ky mendim më dha guxim të pazakonshëm dhe së fundi e futa nepërkën në gji. Ajo zvarranike e shkathët u suall një copë herë përqark gjoksit tim, duke më shkaktuar një kilikosje rrëqethëse të ftohtë, nga e cila pata një gaz kërcimtar të frikshëm, që e kënaqi shumë babushin mjekërmadh.
Pas kësaj më tha truri dhe dola me vrap për të shkuar te lëndina, ku luanin çdo ditë kalamajtë e fshatit. Hyra mes tyre, duke i mbajtur sytë drejt “nuses time”. Pasi u tërhoqa vëmendjen, të më shihnin të gjithë me vërejtje, futa dorën në gji dhe nxora kokën e nepërkës që e kishte zënë gjumi nga ngrohtësia e trupit. Befas ajo m’u mbështoll rreth dorës dhe vura re se pantallonat e disa kalamajve të tmerruar riguan tek gjunjët. Ata më shikonin me sy të shqyer, sikur të mos isha ai shoku i tyre i përditshëm ardhur nga qyteti, po një magjistar i zbritur nga qielli.
Nusja ime rrudhi fytyrën dhe duke më përpirë me sy tha greqisht:
-O panaiamu, ti kani aftos ! ( O shënmëria ime ç’po bën ai ! )
Unë i thashë asaj me krenim, se këtë gjë e bëja vetëm nga dashuria e madhe për të dhe për bukurinë e saj që ua kalonte të gjitha vajzave të fshatit. Dhe atë çast desha ta puth fort, jo si burri i saj i legjitimuar, po si trim triumfator, nga ata që mundnin kuçedrat nëpër përralla. Por ajo faqekuqe me buzët si një qershi e ndarë më dysh, që më bindej gjithmonë si manare, nuk pati guxim të më afrohej në atë krekosje me gjarprin në dorë.
Dhe më çuditi shumë kur ma ktheu në çast me një greqishte aq të kthjellët:
- Kot thua se më do mua, ti ke marrë nuse nepërkën që mbaje në gji, kur unë të prisja të luanim bashkë... - dhe u prish në fytyrë nga kërshëria.
Por dhe unë u çudita shumë që nusja imë vogëlushe ishte bërë xheloze për një copë nepërkë bishtdredhur të kanaleve... Apo babushi nuk i kishte quajtur kot “zonjë” atë pikalore, kur e zumë bashkë. Dhe me pendim të thellë që e kisha lënë nusen vetëm e po merresha me të, i thashë të vinte ta shihte si do ta braktisja për hatër të saj.
Atëherë shkuam të gjithë bashkë, e lëshuam nepërkën në një ferrë, ku i porosita kalamajtë të mos e gjuanin me gurë nëse e shihnin prapë, se ajo nuk kishte dhëmbë për të kafshuar njerëzit. Pastaj u ktheva vrullshëm, e pushtova nusen time me të dy krahët, e putha shumë fort dhe ndjeva në buzë e mia lëngun ëmbël të buzëve të saj. Dhe këtë shpërthim dashurie e bëra fare pa druajtje, sepse ajo më përkiste vetëm mua, pasi të tjerët kishin “nuset e tyre”. Më pas, secili me nusen përkrahu, hymë nëpër kasollet e vogla prej kashte që kishim ngritur në lëndinë. Aty filluam të shkëmbejmë vizita çiftesh tek shtëpitë e njëri-tjetrit, duke bërë urimet e mirëseardhjes dhe shprehëm fshatarçe dëshirat, për të pasur sa më shumë bereqet nëpër arat e katundit.
Një ditë tjetër babush dervishi zuri papritmas katër gjarpërinj të ngjyrave e dimensioneve të ndryshme. Ai i mbushi mendjen babait dhe shkuam për të bërë një paraqitje publike te shëtitorja buzë detit të Sarandës. Aty im at bëri shumë fotografi dhe unë pozova duka luajtur me gjarpërinjtë në duar e në gjoks, përgjatë dy orëve, ku kalimtarët e mahnitur zgurdullonin sytë me habi.
Kësisoj jetova disa kohë në botën e frikshme të gjarpërinjve, duke shijuar kënaqësinë euforike me krenari te lartësuar. Më tej, kur iku babushi mjekërmadh, unë vijova shkollën. Dhe jo vetëm nuk u mora më me gjarpërinjtë të më zemërohej nusja, po edhe fillova pak nga pak të ftohem nga ajo dashuri marrëzie me rrëshqanorët helmatisës, madje edhe e të ruhem prej tyre.
Sot kam frikë si të gjithë frikacakët ordinerë të gjarpërinjve. Por nepërkën nuk e urrej, siç nuk mund të urrehet një grua gjarpërore, të cilën e kisha futur në gjirin tim dhe nuk më kishte rrezikuar, vetëm se më deshi llahtarisht. Më vonë, ngjitja nëpër vite, më ndau edhe nga buzëqershia ime, nusja e dashur e vegjëlisë, të cilën vazhdoj ta kujtoj me nostalgji.