CELULARI FLET NGA VARRI

                                                    Tregim

        Aktori i mirënjohur i teatrit kombëtar R.S. vdiq nga një semundje e pashërueshme. Në ceremoninë e varrimit, atij iu bënë nderime të mëdha, nga personalitetet më lartë të shtetit dhe nga fansat e shumtë që kishte krijuar gjatë një jete të tërë artistike në teatër dhe në kinematografi, ku interpretoi më shumë se dyqint role të paharruar.

        Vdekja e tij la të hidhëruar jo vetëm rrethin familjar, por edhe të gjithë miqtë e shokët e ngushtë të skenes, ku ai krijoi figurën e tij të pavdekshme, me lojën e përsosur aktoriale dhe zërin e papërsëritshm, me një kumbim burrëror të njohur nga të gjithë spektatorët.

        Në shumë skena interpretimi dhe shkolla aktrimi, talentet e fushës teatrore, mundoheshin të imitonin zërin e tij brilant, aq të njohur për zgjatjen drithmore të zanoreve fundore me një timbër të veçantë që mbeti në kujtesën e të gjithë artdashësve.

        Sëmundja vdekjeprurëse e mundoi shumë, por ai me durimin e tij dinjotoz, u mundua të mos i rëndonte njerëzit e familjes dhe shokët që i qëndruan pranë deri në çastet e fundit.

        Ndër amanetet dhe porositë që u la njerëzve të afërt, ishte dhe dëshira e tij, që stilografin e punës me tekstet, syzet dhe celularin, numrin e të cilit e kishin të gjitha ata me të cilët kishte të bënte në jetën e përditshme, t’ia vinin në arkivol.

        Porosia për celularin i la pak të habitur shokët e tij të ngushtë, por sidomos, aktor Zefin, që u ndodh në ato çaste pranë shtratit të lëngimit.Madje Zefi edhe e pyeti:

        - Ç’të duhet celulari në atë botë, or miku im dashur?

        - Më duhet, - tha artisti i madh që e priste vdekjen e sigurt me gjakftohtësi të habitshme dhe fliste për të hapur, si për një premier jetësore që pritej të luhej patjetër së shpejti. Madje, shpesh bënte edhe shaka për të larguar mendjen nga dhimbjet e tmerrshme.

        - Mbase njerëzit ende nuk e kanë provuar që shpirtrat e tyre mund të japin sinjale të zëshme nga bota e përtejme me këtë shpikjen e re të celularit...   

        Zefi nënqeshi lehtas fillimisht. Por pastaj mendoi se aktori i madh, i njohur për truket e shumta skenike, ndoshta shpresonte se shpirti i tij mund të sajonte diçka edhe në botën e përtejme. 

        Ai vdiq në mbrëmje vonë dhe të nesermen filluan ceremonitë e bujshme mortore.

        Kujdesjen për porositë, e mori përsipër i biri i tij, Landi, i njohur si talent i interpretimit të trashëguar nga i ati, por edhe si një hokatar tridhjet vjeçar që i bënte njerëzit të shkuleshin gazit. I vetmi rast kur Landi u detyrua të mbante qendrim krejt serioz, ishte kur dhimbja e thellë e ndrydhi pranë arkivolit të babait, autoriteti artistik i të cilit, peshoi mjaft rëndë në ndërgjgjen e tij edhe pas vdekjes. Gazi i tij u fshi çuditërisht, jo vetëm nga buzët port edhe nga sytë karakteristikë plot shkëlqim. Sepse vdekja është i vetmi gjeneral botëror me komandë supreme, që të gjithë të gjallët, të mëdhenj e të vegjël i qëndrojnë gatitu dhe ulin kryet.

        Ende pa u gdhirë dita e varrimit, Landi i vendosi babait të shtrirë në arkmortin e bërë me porosi, stilolagrafin te xhepi i vogël jashtë kostumit, syzet me gjithë këllëf në xhepin e brendshëm nga ana e majtë dhe në të djathtin, celularin e fikur. Duke hequr prej tij vetëm kartën e kreditit, ku kishin mbetur ende 640 lekë të reja pa u harxhuar.  

        Pothuajse të gjithë aktorët, të vjetër e të rinj, të ardhur me autobuzat e funeralt e me makinat personale në varrezat e Sharrit, hodhën nga një grusht dhe mbi varrin e ketij njeriu të adhuruar të skenës dhe i dhanë lamtumiren e fundit me lot në sy.  

        Mirëpo jeta përditshme me vrullin e saj të pandalshëm, i ngjan një elikë e fuqishme, e cila, ashtu si anija prish qetësinë e ujërave në sipërfaqen e një liqeni, duhen vetëm pak çaste, derisa çarja ujore të lëmohet sërish në gjendjen e mëparshme.Kësisoj edhe vazhda e dhimbjes për aktorin e madh u mbyll shpejt.

        Kishte kaluar mbi një muaj, kur Landi u kujtua për hokat e tij të zakonshme. Ai futi kartën e babai në celularin e vet dhe duke imituar zërin e të atit, aq natyrshëm sa nuk do ta dallonin as njerëzit e shtepisë, mori Zefin në telefon.

        -Aloooo, miku im i shtrenjtë, në më dëgjon atje sipër mbi tokë, më kthe përgjigje, që të rehatoj pakëz shpirtin tim me zërin tënd të paharruar...

Zefi, që ishte ato çaste duke shkuar në shtëpi, ngriu befas nga koka te këmbët, duke mos u besuar veshëve për atë zë të përjetësuar në kujtesën e tij. Por sidomos, kur pa emrin e shokut të ngushtë të regjistruar në celularin e vet, u gjegj nstinktivisht:  

        - Po po, vëlla i dashur, të dëgjoj... të dëgjoj fare mirë, po...fol, fol!...

        - Ahaaaa, faleminderit shumë, që më njohe...Megjithëse po bëhet më shumë se një muaj që kam hyrë në këtë botë të çuditshme, ku vërtiten figura të mëdha nga hapësirat pa kufi, dhe akoma nuk kam mundur të njihem, të zë shokë e miq nga shpirtrat e tjerë që jehojnë çdo ditë rreth meje. Por u gëzova shumë kur pashë emrin tënd, miku im i mirë, të varur te listat  e atyre që kanë rradhën për të ardhur këtu javën tjetër. Ç’është e vërteta, edhe m’u hidhërua shpirti që do lësh aty të afërmit e tu, shokë e miq, po edhe u gëzova, që nuk do mbetem këtu fare vetem... Veçse të lutem shumë, para se të të nisin për këtu, ku unë të pres me shpirtin të ndezur nga kënaqësia që do jemi bashkë edhe në skenën e kësaj bote, kërko të të vënë në arkivol, jo vetëm celularin tënd komplet, por edhe ushqyesin e celularit tim, sepse po më mbaron bateria...

        Pas këtij kumti mistik, zëri brilant aq i njohur heshti, sikur ngriu në një ngërç shpirti dhe sinjali u fshi nga celulari i Zefit, sikur i fryu era magjike çuditërisht...

        Ajo që ndodh nganjëherë me njerëzit e lidhur ngushtë në familje, apo në shoqëri, nuk ka arritur të shpjegohet nga askush. Shkenca e mjekësisë këto raste i kalon shkarazi si vënie të organizmit në funksion të plotë të përgatitjes fizike e shpirtërore për tu degraduar drejt vdekjes.      

        Pas këtij dialogu fantastik të manipuluar mjeshtërisht, Zefi 72 vjeçar, i gatshëm shpirtërisht për të marrë rrugën e ikjes nga jeta, vdiq javën tjetër nga një atak i papritur zemre...

        Landi ishte i pari që vajtoi më shumë se gjithë farefisi i Zefit, për lojën vdekjeprurëse që kishte bërë me atë “dreq” celulari...