DASHURI BRENDA VARRIT

        Teksa jeta gjallon e zhvillohet pa ndërprerë në tokë, në qiell e nëpër planetët pa fund të galaktikave, në trojet tona ajo lëviz e krijon ngjarje edhe brenda varrit. Kjo mund të duket disi e habitshme, por është e vërtetë.
Komshiu Leksi me fytyrë të dreqosur deri në atë shkallë, sa dukej si ndonjë xhind i sapodalë nga humnerat e errëta të thellësive, thirri Amin te hyrja e apartamentit përballë. Ai i ra ziles me ngut e me një tringëllimë të zgjatur pa e hequr gishtin nga butoni.
Kur Ami hapi derën dhe e kundroi me sy të çakërritur nga habia e shkatërrimit që vuri re në fytyrën e tij, komshiu Leksi lëshoi breshërinë e vet fatale:
-Eja merre tët shoq, se paska qenë fundërrinë e fundërrinave, një maskara i ndyrë dhe imoral i paskrupullt!... Unë po shkoj të dorëzohen në polici ! – tha ai prerazi, me vetulla të ngërthyera nga zemërimi i tejskajshëm dhe iku në çast duke brambullitur poshtë shkallëve.
Ami, e shtangur nga kjo e papritur kaq tronditëse, ndjeu një dridhje të fortë në të gjithë gjatësinë e trupit të saj delikat. Vrulloi drejt derës përballë dhe hyri krejt pa frymë brenda dhomës së hapur. Por ç’të shihte?... Aty kishte ndodhur një gjëmë e paimagjinuar. I shoqi i saj gjendej i vdekur dhe krejt lakuriq përkrah gruas pa jetë të komshiut Leksi. Ajo i vëzhgoi një grimë herë të dy kufomat lakuriqe me sy të shqyer nga habia dhe tërbimi, për të parë gjurmët e përgjakshme të asaj vrasjeje të dyfishtë. Por çuditërisht, asnjëri nuk kishte plagë te koka apo te gjoksi. Ishte një krim fare pa gjak, i paparë ndonjë herë as në filmat horror. Burri i saj dukej sikur flinte i zhveshur në shtratin e vet bashkëshortor. Por për fatin e saj të zi, ai flinte gjumin e madh të vdekjes në shtratin e një gruaje tjetër, të cilën ajo e kishte pasur shoqe të ngushtë...
Ka një prag fundor ku dashuria e madhe kthehet papritmas në një urrejtje tërbimtare tejet të fuqishme. Dhe ky është çasti kur gjen befas bashkëshortit tënd në marrëdhënie intime me një partner tjetër. Ami u xhindos brenda pak sekondave. Një urrejtje gati vjellëse iu mblodh në grykë dhe po i pengonte frymëmarrjen.
Ajo u kthye si ndonjë egërsirë e plagosur për vdekje dhe vrapoi te hyrja e saj, duke shtrënguar tëmthat nga një dhimbje e tmerrshme që ia mbërtheu kryet në çast. U shtri te shtrati i saj krejt pa vetëdije dhe priti gati si e trullosur, derisa e mori disi veten. Pastaj zgjati dorën te aparati telefonik mbi komodinë dhe u bëri një telefonatë prindërve të saj, që banonin në lagjen e Alliasit, te fundi verior i Tiranës.
Nuk vonoi shumë dhe te dera e hapur përballë, hyri ekipi i specializuar i ekspertëve të policisë hetimore. Ata kontrolluan gjithçka, i kthyen trupat pa jete nga të gjitha anët dhe në fund dolën me përfundimin që dha mjeku ligjor: Burri kishte vdekur nga një atak kardiak gjatë sforcimit në marrëdhëniet seksuale. Ndërsa gruaja ishte goditur nga i shoqi në kokë me tenxheren e trashë të presionit të gjetur aty pranë. Mjeti rrethanor me të cilën bashkëshorti i kishte shkaktuar viktimës gjakderdhje të brendshme në tru dhe prova e vetme e krimit, e përdorur në çastet e tronditjes së fortë psikike. Në çastin kur ai kishte ardhur befasisht nga jashtë dhe e kishte gjetur gruan ende në shtrat, duke u përpjekur të kthente në jetë dashnorin e mbaruar.
Pasi u kryen të gjitha formalitetet e zakonshme, Ami, që ziente përbrenda nga një erupsion gati vullkanik, por krejt e qetë në pamjen e jashtme, porositi arkivolin. Pastaj me ndihmën e banorëve te shkallës, ajo e mbështolli të shoqin me çarçaf dhe e vendosi brenda kutisë me kapak të thjeshtë fibre. Po atë ditë, pa kryer asnjë ceremoni mortore për besëthyerin e saj të kurorës, ajo pagoi shërbimin e funeralit dhe e çoi arkivolin te varrezat e Sharrit, duke mos lajmëruar askënd për shoqërimin e zakonshëm familjar.
Pak kohë më pas, po atë ditë, zuri vend aty edhe arkivoli i gruas së Leksit, të cilën ceremonia familjare pa shumë bujë, e vendosi sipas radhës te varri i hapur përbri tij. Kështu u duk se u mbyll ajo dramë e fshehtë dashurie midis dy komshinjve, e cila qe kthyer papritmas në një tragjedi të rëndomtë, të heshtur.
Por motra e gruas së Leksit, e mbuluar nga lotët, nuk ndjehej aspak e qetë shpirtërisht. Ajo kishte dëgjuar nga motra e madhe gjithçka mbi marrëdhëniet që kishte me burrin e Amit, të quajtur si dashuria e vërtetë e jetës së saj. Madje si me e vogla, ruante edhe një amanet të saj: “Po te vdes ndonjë dite, të më varrosesh në një varr me të dashurin tim të zemrës, sepse vetëm atëherë do të jem e qetë në atë botë.”
Pas dy ditësh, kur varri kishte ende përsipër dheun e freskët, ajo pagoi varrmihësit në fshehtësi dhe trupin e burrit, të cilin motra e madhe e kishte dashuruar me të gjithë pasionin e vet vdekatar, e çoi të prehej te varri i saj. Duke e vendosur brenda arkivolit të përbashkët, përkrah njëri-tjetrit, siç ishin në shtratin ku gjeten vdekjen. Ndërsa në arkivolin bosh, sipas kërkesës së varrmihësve, la vetëm një pusullë, që gjithsesi të dihej më vonë vendndodhja e trupit të të vdekurit që mungonte.
Kishin kaluar pak ditë dhe ëma e Amit, si besimtare fanatike, e qortoi të bijën e rrëmbyer nga pabesia e të shoqit:
-Bëre gabim të madh, moj bija ime, qe e varrose tët shoq të mbështjellë vetëm me çarçaf. Është gjynah i madh nga Zoti të mos e veshësh me kostum, si gjithë burrat e tjerë...
-Ai nuk ishte si burrat e tjerë ! – kishte kërcyer përpjetë Ami. – Ai ishte faqezi, që më nxiu faqen e më shkatërroi jetën.
-Po ama, do s’do ti, është i ati i vajzës tënde të vogël...
-Vajzën e la pa baba, ai i pacipë! Kur s’më donte, le të mos martohej me mua e të bënte fëmijë. Zgjedhja e njeriut për të bashkëjetuar bëhet vetëm një herë dhe para martesës. Kush nuk di të zgjedhë në atë kohë atë që i duhet, pas martesës zgjedh ose shkatërrimin e familjes, ose vdekjen.
- Epo, ja, allahu e dënoi me goditje në zemër dhe atë tjetrën me goditje në tru, se martesa është e shenjtë, moj bijë. Prandaj me punët e allahut duhet të kesh kujdes, se të vjen e keqja nga s’ta pret mendja, po sidomos te fëmija...
Ami u trondit shumë, u mendua thellë dhe pastaj tha:
-Do t’i lutem zotit të ma mëshirojë vajzën...
-Dëgjomë mua, nuk të kushton gjë të blesh një kostum e të shkosh që t’ia veshin punëtorët e varrezës... - ia preu fjalën e ëma.
Ami rrëzëlliti sytë mbi të ëmën me një mëdyshje të dukshme.
-Kostumin e martesës e ka fare të ri ai, po ata varrmihësit duhen paguar shumë që të hapin varrin fshehurazi...
-Paguaji, se të jap edhe unë ca para nga ato që morëm për kompensimin e pronës.
Më në fund vejania pa rroba zie në trup, u bind dhe shkoi për të biseduar me dy varrmihësit, që e vunë në dyshim me ngulmimin e tyre për të mos rihapur varrin. Ami u premtoi se veprimin e tyre zhvarrosës, do ta mbante si të fshehtën e varrit, dhe u pagoi në dorë të tërë shumën e majme që kërkuan.
Ata hapën arkivolin pasdite vonë për t’i veshur kostumin të vdekurit. Por për habinë e tejskajshme që e la gruan vejane pa mend, aty brenda kishte vetëm një letër të zhyer me dhera. Nën dritën e dobët të perëndimit ajo lexoi shënimin e shkruar keq: ”Jam te varri i komshies!” Si ka mundësi! tha me vete Ami e mahnitur aq shumë, sa për pak çaste mendja e saj u shkëput krejt nga realiteti dhe u zhyt padashur në misticizmin ireal të besimeve fetare.
-Maskarai, kurvari i poshtër, as në varr nuk rri rehat! Lakuriq le të mbetet!... - murmuriti ajo lehtas dhe rendi e nervozuar te taksia në një cep të varrezës, ku po e priste e ëma.
Varrmihësit e paguar dy herë, qeshën nën hundë dhe rrëshqitën përmes rreshtave mortorë. Fashat e perëndimit të flakëruar që kishin rënë mbi kryet e varreve, e kishin bërë varrezën të dukej si një djegurishte e madhe me kërcunj të prushëritur.