G J I L P Ë R A
Më i afërti pasardhës,
nipi im vogël,
më i shtrenjti i zemrës
sime prej gjyshi,
sot m’u lut më tepër
se për çdo lodër,
t’i bëja gjilpërën
për qetësim apendiciti.
Dora e infermieres
i dukej e hidhur,
sikur e thumbonte
një grerëz në tule.
Kish dëgjuar gjyshen,
se isha i stërvitur,
me dorën të lehtë
siç bëja pekule.
Por ky rast ishte
një provë e dhimbshme,
të shpoja nervin e hollë
të ndjesive të mia.
U solla përqark
gjatë një ore të trishtime,
mos më dridhej dora
nga dhembshuria.
Zura mbi lëkurë
ndjeshmërinë t’i ngacmoja,
dhe dhimbjen e dobishme
sakaq kisha bërë.
Kur vogëlushi më pyeti
pse po vonoja,
kisha shpuar zemrën time
me gjilpërë...