PSE QANTE E QESHTE GRUAJA PA SHKAK
Ajo qante befas sikur të ishte fëmijë.
Qante shpesh pa një shkak të kuptuar.
Kujtohej, me burrin bënte pak dashuri,
dhe lotët i binin çurg, si rubinet i liruar.
Pastaj kur ai i tha: “Nuk je tërheqëse,
vitet ta kthyen pamjen në shëmtim!”
Ajo ia priti: “Ti më marrsh të keqen!”
dhe lotoi gjithë natën, gjer në agim...
Një tjetër i tha: “Je tmerrësisht e bukur!”
dhe ajo papritmas hapi krahët si zog.
Në mbrëmje i dha atij, një të puthur,
dhe trupin, kur i shoqi pinte me shokë.
Pastaj gjatë javës, ajo qeshte pa shkak,
qeshte e fluturonte me këmbë e duar.
Pse qan dhe qesh gruaja, pa shkak,
vështirë e kanë ca burra për ta kuptuar...