DJALLUSHJA DHE DJALLI
Ti je djallushja e bukur,
e mëkatit në çift,
unë, djalli i tradhtisë
për kurorën tjetër.
E dimë të dy
se lundrojmë gabim,
por s’e ndalim dot gjakun
të shkojë në zemër.
Rruga jonë ka përpara
gjembaçë të dendur,
si në një xhungël
me rreziqe të pritshëm.
Pas çdo puthjeje,
që ndez epshin e çmendur,
na përgjon me thumb
një gjarpër helmatisës.
I dimë dhe ato vuajtje
ku mëkati na shpie,
paçka se dhe ikjen nga jeta
nuk e ndalim dot.
Se ti ke atë magnetin
që ka Dielli në qiell,
të tërheqësh rreth vetes
planetin tim me forcë.
Unë jam i zgjedhuri yt,
përcaktuar nga fati,
të gëzojë dhuratat
që më dehin shpirtin.
Por dhe i destinuar të jem,
lepur veshgjati,
që ha karrota te kopshti
i një tigri të frikshëm.
Dimë që në ferr do shkojmë
të dy të bashkuar,
të na djegë ai zjarr
që në tokë e ndezëm vetë.
Por shpirtërisht
S’do ndjehemi të rënduar,
kur partnerët tanë të prehen
në parajsë të qetë.
Asnjëri nga ne
nuk e kish marrë me mend,
se kjo lidhje intime
do shkonte gjer në marrëzi,
paçka se të vrarë
s’kemi lënë askënd,
kur ti bëhesh djallushja ime,
dhe unë djall yt i zi...