DUKE FSHIRË LOTËT E SAJ
Mbesa vogëlushe, doli në mesditë,
kur derdhej lumi diellor te sheshi.
Zërat e kalamajve, laheshin në dritë,
nga dritarja, më jehonin te veshi.
Pas disa çastesh, dera ime u hap,
dhe mbuluar, nga lotët hyri mbesa...
Brofa nga divani, iu afrova me vrap,
tronditur nga kuja e saj me dënesa...
Zëri i bukuroshes dridhej tel violine,
por melodia e dhimbjes qe e thjeshtë.
Përplaste krahët, si fluturim gjeraqine,
se Beni nuk e qaste në lojën e vet...
Duke pritur rubinët, e saj mbi faqe,
shkova t’i lutem Benit, e mendova kështu:
Eh, ta dinë benët e kësaj lagjie,
me sa përgjërime do i paguajnë,
kur të rritesh, këta lotët e tu!...