NGJARJE DITE
Një notë aritmetike te maja e stilolapsit,
befas u bë benz dyqindepesëdhjetë kuajfuqi.
Vajza e komshiut shkëmbeu puthjet e çastit,
me bluzën e bardhë të pavionit në mjekësi.
Autoambulanca përcolli tre të sëmurë sot
te banesat e mermerit mbyllur hermetikisht.
Tre të diplomuarve te rruga e xhepave bosh,
tenxherja pensioniste u dha drekën bujarisht.
Dita e sotme shënoi te kronika “Jeta e qytetarit”:
Shëtitja e mbrëmjes u bë mes plehrave aromatikë.
Veturat u kthyen natën, breshka të trotuarit.
Kashta e Kumtrit hodhi mullarë me pluhur kozmik.