BETIMI BRENDA VETES
Kur më goditën për gjoja gabime ideologjike,
u betova brenda vetes tri herë me radhë,
se s’do të shkruaj më poezi për sferën publike,
edhe sikur të më nxihej sërish floku i bardhë.
Por, ja që edhe vjershërimi qenka një ves,
si cigarja pa të cilën duhanxhiu nuk rri.
Dhe nisa prapë çibukun e poezisë ta ndez,
si djaloshi, që fshehtas të mëdhenjve e pi.
Dhe me poezi u fola sërish njerëzve të zemrës,
të gjithë të dashurve të mi dhe tërë miqve.
Fillova t’i këndoj bukurisë e hireve të femrës,
ndonjëherë zura të shaj dhe veset e të liqve.
U bëra thirrje gjithë vajzave dhe djemve të ri,
të duhen pa hile e paramendime hipokrite,
të shihen me njëri-tjetrin sinqerisht sy më sy,
kudo qofshin, në të gjitha gjerësitë gjeografike.
Kësisoj frymëmarrjen njerëzore bëra më të gjerë,
hyra kokë e këmbë mes realitetit të prekshëm,
mora përgjegjësi qytetare, të flas me të tjerë,
duke u ulur këmbëkryq në thelbin e së vërtetës.
Sakaq brenda meje u kryqëzuan rrufetë në horizonte,
ylberet shpalosën ngjyrat në brigjet e shpirtit tim.
Ndjeva se u bëra i denjë të quhem njeri i kësaj bote,
me njerëzimin e madh, të bashkoj zërin për vëllazërim...