ELEGJI PËR VDEKJEN E LULEVE
Jam ulur në stolin e fundvjeshtës së pikëllimit,
vajtoj vdekjen tuaj të trishtuar, o lule bukurie!
Juve u venit ngjyrat, fryma e ftohtë e dimrit,
mua gjëma juaj më çngjyros, retinat e syve.
Ky mort i bukurisë suaj, me ylbere mes fletëve,
duke varur kryet mbi varrin e akullt të stinës,
më trishton më tepër se zverdhja e gjetheve,
që rrëmbejnë erërat, e i flakin skutave tinëz.
Kemi folur bashkë fjalë të pathëna nga gjuha,
disa shprehje, që s’i ka asnjë fjalor i shkruar,
mendime të frymëzuara nga ngjyrat e purpurta,
që s’gjenden në asnjë hieroglif, për t’u deshifruar.
Brenda lulëzimit tuaj, kishit tharmin e poezisë,
që ngjizej, me pjalmin e kolorit dhe aromave,
kishit figurat krahasuese, me kulmet e bukurisë
dhe nderin për të qëndruar në krye të dhomave.
Cili burrë i dashuruar, s’e bëri femrën të gufojë,
me tufën aromatike, dërguar prej tij dhuratë?
Cili poet, në vargjet me trëndafila, s’i këndojë,
dashurisë së fluturave, mbi karafila e zambakë?
Vdekja juaj e madhërishme, me heshtje mortore,
siç vdesin ylberet, me qefinin e reve hapësirave,
lë tokën nën lotët e shiut dhe nën qefin dëbore,
me horizonte të shkretuar, nga vdekja e ngjyrave.
Ah, si do të pres edhe gjysmë viti, rilindjen tuaj,
pa i çuar njeriut të zemrës, tufën e luleve me vesë!
Vetëm qielli dhe toka, mund ta ndjejnë, sa do vuaj,
derisa t’i çoj pranverën te dera, në të parin mëngjes...