VILA IME NË MES TË REVE
Qyteti qiellor me shtëpitë e reve të bardha,
sot u trondit fort nga një shkrepëtimë rrufeje.
Pashë vilën time të përtej jetës nga dritarja.
Por vetëtima ishte shkrehur diku larg meje.
Vilën e ngrita me mjagulla pagjumësie netëve,
në Udhën e Qumështit, te një bisht i galaksisë.
Aty ku yjet barinj shesin me shishet e kometave,
qumështin e Arushës së Madhe mbetur pa këlyshë.
Vizitorët kozmonaut që kanë kaluar me raketa,
më kanë përgëzuar me urime befasuese në internet.
Madje një kozmologe e re deshi për studimet e veta,
të provonim aty shtatzëninë qiellore me ultraviolet.
Por nuk pranova të bëja kalamaj jashtë martesës,
se mund të kërkonin trashëgim prej asaj pasurie.
Siç u dhashë fëmijëve të tokës dhomat e banesës,
dhe hyra te bunkeri parafabrikat lënë prej sime bije.
Vila ime e re me shkallare harkore stil venecian,
ka dritare transparente prej oksigjeni të kaltër.
Katër rrufepritëse mbrojnë çatinë në katër anët,
nga shkarkimet e zjarrta të pickimeve si gjarpër.
Veç kësaj paguaj me këste siguracionet kozmike,
për ta ruajtur nga rreziqet dhjetë vjetët e ardhshëm.
Ndonëse gruaja shqetësohet tepër e bëhet nevrike,
që s’kemi bërë në dhoma mobilimin e rehatshëm.
Megjthatë, jam i vendosur të mbijetoj dhe në qiell,
me qindarkat nga shitja e fantazive, pa kërkuar hua.
Dhe më duhet kohë të mbledh paratë duke kursyer.
Por shpresoj që telebingoja e Ufove të më bjerë mua...