BUJTINA SHPIRTERORE E DASHURISE
Duket sikur bujtina shpirtërore e dashurisë,
ka kolona dhe mure ndjenjash, të patundur;
dhe nuk ka tërmet grindjesh, ta përmbysë,
as përrenj shpifjesh, themelet për t’i shkulur;
Se xhamat e syve vetëtijnë shkëndijat e zemrës,
buzëqeshjet vezullojnë, rrezatime shpirtërore;
aq sa harmonia, mahnit ziliqarët jashtë derës,
kur në xhiron elegante, del çifti i zënë përdore...
Por ndodh xhamat e syve, bien të shkërmoqur befas,
muret e premtimeve rrëzohen, si gurë të hallakatur,
sikur një fuqi misterioze, shkul kolonat e ndjenjave,
dhe e bën gërmadhë, bujtinën e shpirtrave të dashur...
Atëherë buzëqeshjet varen në çengelat e buzëve,si merimanga,
tjegullat e krenarisë, i mbulon pluhuri i zemërimit të murrmë.
Teksa fajin e rrënimit, ata ia vënë njëri-tjetrit, si pranga,
akrepat e thashethemeve nisin të shumohen nën gurë...
Pasi zogjtë e puthjeve kanë shtegtuar qiejve të harrimit,
dy emrat e tyre vetmojnë, si qyqe mbi muranën e vjetër.
Ndërkohë, secili përsërit refrenin e tij të zhgënjimit:
“Cili gabim duhet shmangur, po të ngre bujtinë tjetër?!”