I BIRI I “DJALLIT”
Vjet, vëllai im,
emigrant në Greqi,
solli bashkë me
çmalljen vëllazërishte,
djalin shtatëvjeçar
të lindur aty,
një krijesë të njomë
të urrejtjes raciste.
Kur desha ta puth,
ai vrenjti ballin,
dhe si këlysh egërsire,
më shkau nga duart:
-Mos prek mua ti,
“shqiptar i djallit!”,
unë “grek levend!”-
tha duke u larguar.
Qimet e kokës
mu bënë gjemba të zi,
nga ato krisma fjale
si kapsolla urrejtje.
Vëllai ia ngjeshi turinjve:
-Kujt i thua ashtu ti,
brumë i thartuar
në shkollën greke?!...
Desha t’ia kthej vëllait
shpullën aty për aty,
që nxitoi para vetes,
t’ia ngjishte djalit,
derisa kish pranuar
të gatuante brumin e tij,
në tavat e furrës
që ushqen birin e “djallit”...
Duke qenë vetë ky
i keq - etiketuar “Djalli”
një shqiponjë kokulur,
në folenë fqinje nga halli...