SY TË PËRGJËRUAR
Qëkur fillova të dalloja
figurat e çuditshme,
sytë më shkonin vetiu
tek më të bukurat gjëra.
Shihja gratë rreth djepit
në vërtitjet e përditshme,
nëna ime më dukej
më e bukura nga të tëra.
Pasi eca këmbadoras
për të dalë te porta,
sytë m’i morën zogjtë,
që çukitnin oborrin me cicërime,
m’i spërkatën diejt e trëndafiltë
me aroma të forta,
m’i ndezi nata jugore
me prushërimin e yjeve.
Pastaj qava mbylljen
brenda dhomave të mërzisë
dhe qysh atëherë kuptova,
se kisha lindur me sy të uritur,
që mund të m’i qetësonte
vetëm magjia e bukurisë,
me rrezatimin ngazëllues
në shpërfaqjen e papritur.
Më tej filmave ua bëra ballin
ekran të reflektohej bota,
piktorëve u dhashë qerpikët
për fije liri në penela,
këngëtarëve ua bëra sytë
dy mikrofona te koka,
valltarëve u dhashë qepallat
pala për fustanellat.
Bukuroshja qafësorkadhe
në pyllin me ahishtë,
më shkaktoi në sy
babëzinë e ujkut të tërbuar,
derisa vështrimi im
e rrëmbeu të tërën tinëzisht
dhe piu dritë mrekullie
nga burimi i kulluar...
Në sallonet e syve të mi,
sa dy guaska arre brenda,
kam ekspozuar gjerësisht
një Luvër të tërë.
Ninëzat më kanë fiksuar
miliona portrete dhe bëma,
mikro-kamerat aq disqe,
sa ka plazhi kokrriza rërë.
Mirëpo bukuria m’i vuri sytë
në regjim të tejskajshëm,
sikur të qe flori i mbuluar
me inerte shkëmbore,
kërkoi të braktisja gjumin,
dhe çdo vezullim të anshëm,
që të zbulonte shkëlqimin
me prejardhje hyjnore.
Gurët dhe tullat e shkronjave
që zbraz në kantierin e syve,
ngrenë ndërtesa me njerëz,
të çdo gjinie dhe moshe,
më shpalosin në përfytyrim
drama, tragjedi, intriga pabesie,
më nxitin thithjen e syve,
dhe zbrazjen në faqe boshe.
Tani flatrimi virtual i syve
më bredh nëpër kontinente,
përqafohet e puthet largësive
me qindra sy pa u takuar,
paraqet dhe krahasohet
me bukuri ekuivalente,
noton në oqeane vizive
me hijeshi trupash zbuluar.
Po kur vdekja të m’i mbyllë
sytë e lindur enkas për bukuri,
që asnjë dukuri ardhmërie
të mos shoh në arkëmort?!...
Varrmihësit pas vitesh
nuk do gjejnë eshtra aty,
po në vend të tyre vetëm,
një pellg të madh me lot...
Sa keq të ikësh me sy të tillë
nga kjo botë dritë - artë,
ku edhe syri qiellor mbikëqyr
bukurinë e Tokës me përgjërim,
ndërsa sytë e tokësorëve
mbulohen me baltë...
Kur meritojnë edhe planet tjetër
të rilindin me këtë përgjërim!...