BUZËT E GJETHEVE
Më mbetën sytë
te forma buzore e gjethes,
ku lëvrinte brenda
limfa e gjakut të gjelbëruar
dhe putha buzët e saj,
të zgjoja brenda vetes,
energjitë e fjetura
të dashurisë së vonuar.
Atëherë shpërtheu kudo
pranvera me blerime,
në buzët e gjetheve
zogjtë filluan këngët stinore,
në buzët e njerëzve
shpërthyen ndjenjat intime
dhe gjethuan puthjet
me gjithë meloditë gazmore.
Gjethet shushuritën
nga era e prillit të lulëzuar,
buzët shushuritën
nga flladi i zemrave rinore,
Gjethet lidhën kokrra
me lëngje të ëmbëlsuar,
buzët lidhin frutat e para
të puthjeve njerëzore.
Buzët e gjetheve skuqën
faqe fëmijësh nëpër degë,
në gjokse të njoma
lidhën mollë vajzërie,
buzët e grave u ngjyen
me buzëkuqin ngjyrë shegë
dhe çelën trëndafila
në çdo degë të zemrës sime...