NUSJA ME VELLO
Ndoshta nuseve u veshin vellon e bardhë,
t’u zbardhet durimi, që nga dita e fillimit
dhe pas nusërimit, gjatë netëve me radhë,
të ngrenë flamurin e bardhë të dorëzimit.
Më pas velloja i kthehet butikut nusëror
dhe nuses i mbetet fotografia e dasmës,
ta kujtojë, sa herë merr fshesën në dorë,
apo kur lan enët e vaktit të ardhshëm.
Se vetëm kur shkon në punë, ndjen çlirimin,
nga skllavëria e re me disa skllavopronarë.
Dhe pas burrit, kur i shtohen fëmijët e gjirit,
duron robërimin dyfish, me qejf të pa parë.
Pastaj kur pronarët i bëhen, një kor i plotë,
duke i kënduar himnin e stërmundimit,
ajo zë kokën me duar, e nis të qajë me lot,
për atë vello të bardhë, të shpirt robërimit.
Ndodh pronari kryesor, vellon e saj harron
dhe argëtohet tek një nuse tjetër, pa vello.
Në vetminë e stresit, ajo veten kafshon,
duke përbuzur burrin, Donzhuan e Otello;
Më keq, kur ai kthehet e përgjon për tradhti,
velloja e mëndafshit, bëhet leckë e zverdhur.
Dhe kur i gjakos hundët me tërbimin e tij,
bëhet paçavure e kuqe, në plehra hedhur.
Së fundi velloja e bardhë e dasmës së shenjtë,
pak nga pak, shndërrohet, napë e zezë pis,
për ta hedhur supeve, gjatë funeralit të shpejtë,
kur ajo përcjell varrimin e trishtuar të dashurisë...
Pas bardhësisë së ëndërruar,në emër të lumturisë!