KOHA E GJUMIT
Heshtën të gjallët
deri tutje në largësi.
Magjistari i natës
shtriu qytetin në shtrat.
Tani vëmendjen
s’ma prish asnjeri.
Koha numëron
minutat e krijimit të artë.
Unë kaloj rruazat
e mendimit të zgjedhur
nëpër fije mëndafshi,
ku bëhen vargje.
Radhit frymën
dhe tingujt e zemrës,
t’ia dhuroj internetit
dhe librave në faqe.
Kur të tjerët shkundin
plogështinë e natës,
vendos tapat e sfungjerit
te vrimat e veshëve,
të mos u bjerë zgjimi
me topuzin e shamatës
daulleve të mpira
nga shurdhimi i heshtjes.
Pastaj nis mendimet
me pushime periodike,
nëpër ranishte
dhe hije ëndrrash mëngjesore.
Të presin mesditën
dhe mesnatën elektronike,
për të çuar frymën time
hapësirave njerëzore.