TRI RROKJET E HABITSHME
Ajo s’ka më te sytë
dy yjet xixëllues që kishte.
Pitet e buzëve të saj
s’kanë më mjalt në hoje.
Në foletë e gjoksit s’ka më
qumësht dallëndyshje.
As në timbrin e zërit,
s’ka më këngët e zogjve.
Mjaftoi vetëm një fjalë
me tre rrokje: “S’të dua!”
që yjet, mjaltin, gjoksin
dhe këngët e zogjve,
dikush tjetër t’i merrte,
pa lënë asgjë për mua.
Sepse në fjalorin e tij,
mungonin ato tre rrokje...
Kjo mund t’i duket dikujt
paksa e habitshme,
të humbasë dashuria
kaq shpejt gjërat me vlerë.
Por janë ca femra
më tepër se qelqi të thyeshme.
Pas këtyre tre rrokjeve
të lënë vetëm pluhur dhe erë.