NDJENJA E FSHEHUR
Më ndali çuditërisht
pas shumë vitesh,
duke më dalë përballë
në çastin e papritur.
Me ndjenjën e hershme,
të ringjallur rishtas,
sytë e saj përvëluan
sytë e mi të habitur.
Mendova: pse kjo zogës
nuk dha të kuptuar,
qysh atëherë kur ishte
siç është kaq e bukur,
po priti disa vjet,
në zjarrin e shuar,
të ndizte qymyrin
mbuluar me pluhur?
Përshtypja m’u tret
përmes buzëqeshjes,
po kuptova se ndrydhja
e kohës së shkuar,
kurajën ia kish lidhur
me zinxhirin e heshtjes,
dhe tani guximin
ia zgjidhi era e çliruar.
Eh, si u ndodh njerëzve
me lulëzimet rinisë,
kur ndjesitë u fiksohen
te gonxhet e para
dhe pasi ndërron koha,
u ringjallen sërish,
farëzat e fshehura
në barishtet e thara...
Ringjallen duke lënë
pengun në ndjenja intime,
vetëm për të ëndërruar
skena imagjinare,
me dëshira të ndezura,
që digjen në kujtime.
Se tani digjen dy male,
po të ndizen zjarre...