LETRA E FSHEHUR NË HARRIM
Tek shfletoja mes librash gjeta
një fletë dyshe të shkruar.
Ca pika loti përmbi shkronja
fjalë zemre kishin mjegulluar.
Vetëtima kujtimi më ndezi në sy
ajo vajz’ marrëzisht e dashuruar.
Njomëzakja me shtatin e saj perri
më erdhi në përfytyrim e lotuar.
Ah, moj leshverdhë, flori i prerë,
ardhur befas nga koha në harrim,
me ç’fjalë ta vrava zemrën atëherë
që derdhe aq lot për shkakun tim?
Kush më bëri xheloz aso kohe
për buzët e tua të trëndafilta?
Më vraftë zoti, që të bëra lotove
me dyshimet e mia të përcipta!
Të kisha këto mend qysh në rini,
o yll i këputur i asaj kohe të vakur,
dhe dhembshurinë që kam tani,
veten me grushte do kisha rrahur...
Që ti të qeshje edhe në pleqëri
kur të kujtoje këtë lloj rrahje.
Se pendimi dhe falja te çdo njeri,
nënkupton dashurinë e madhe...