SHKRIMTARI PA GJUMË
Qëndroj zgjuar.
Gjumi më rri larg si qenush i friksuar.
Pret t’i hedh një kockë dremitje.
Kam vite që sfidoj
mbylljen e zgjatur të qepallave,
teksa bota e tërë gjendet
ditë e natë në lëvizje.
Qëndroj zgjuar t’i shoh të gjitha.
Kjo është dëshira ime më e madhe
që më mban gjallë në kaq vite.
Një natë fjeta nga mbrëmja në agim
dhe u gdhiva i trullosur si gjumash budalla.
Urreva veten sikur gjithë kronikat e asaj nate
të ishin kryevepra me vlera të mëdha,
që shkuan s’dihet për ku dhe s’dihet sesi,
për të tallur sytë e mi me qepallat kapluar.
Urrej barërat gjumëndjellëse
që synojnë të ma mbajnë trurin në robëri.
Kam kuptuar se jeta është fare e shkurtër.
Linda dje dhe nuk dua të iki nesër,
pa i parë e pa i treguar të gjitha të mundshmet
që më kap radari i syve dhe antenat e veshëve.
Plaku i Hemingueit zuri peshkun e madh,
pikërisht sepse qëndroi zgjuar duke vëzhguar,
për ta jetuar jetën sa më gjatë.
Nuk synoj të zë peshk shumë të madh,
sepse peshkaqenët mund të më hanë dhe mua,
nga egoizmi se konsumoj më shumë natë.
Jam kureshtar i tmerrshëm.
Kam marrë përsipër qysh në barkun e nënës,
të jem vitrinë interesante e së nesërmes,
për të djeshmen dhe të sotmen e pasqyruar.
Qëndroj zgjuar.
Sepse të tëra ngjarjet e botës ndodhin për mua.