PAÇKA SE TI THUA, MOS !
Sa herë dua të marr
diçka nga ti,
thua “mos”
sikur do bjerë tërmeti,
sikur në këtë moshë
të jem fëmi,
që thyej gota qelqi
dhe bëhet kiameti.
Paçka se buza jote
është elastike
dhe të krisur
nuk merr asgjëkund,
paçka se ti je femër
në vite kritike,
pa puthje vyshkesh
dhe bukuria të humb.
Kur dua të bëj
ndonjë hap më tepër,
drejt të panjohurave
që më fsheh ti,
thua, “mos” sikur jam
ndonjë i verbër,
që do rrëzohem
te puseta në thellësi.
Por paçka se thyhen
gjithë gotat e qelqit,
se tërmeti shkërmoq
gjithçka si rëra,
se fundosem te gropa
me hapin e të verbrit,
unë “moset” e tua
do t’i shkel të tëra!...