LINDUR TË MARTUAR
Të lidhur bashkë
për afro gjysmë shekull,
më duket sikur linda
i martuar me ty.
Të kishe qenë kostum,
do më ishte rrjepur,
njëzet të tjerë
do kisha blerë gjer tani.
Të ishe vilë e bukur,
do ta kisha suvatuar,
patinuar e lyer të tërën
mbi njëzet herë,
të mbeteshe e përshtatshme
për tu banuar,
të dukeshe si në fillim,
e re përherë.
Të ishe anije hekuri,
ngecur në rërën time,
do të ishte ndryshkur,
gërryer nga dallgët në det,
do e kisha copëtuar
për skrap me saldatriçe
dhe me një anije tjetër
do lundroja në jetë.
Ne na mbajti të bashkuar
me njëri-tjetrin,
një lidhje më e qëndrueshme,
nga stofi e muri i ri,
më rezistente nga çeliku
mes kripës së detit:
Aliazhi i ndjenjave,
më i forti nga çdo fortësi...