NË DEGËT E PEMËS QIELLORE
Pema elektronike qiellore
harliset në blerimin e vet.
Në çdo degë ka të varur
edhe një gjethen time.
Ulen zogjtë e ngarkuar
me rrëke këngësh në sqep,
për të zbrazur nëpër degë
meloditë e tyre intime.
Marrin relaksimin ajror
mes gjetheve duke kënduar
dhe lënë cicërimat e tyre
në shushurimat e kësaj peme.
Te njëra nga gjethet e mia
një kanarinë krahëshkruar,
më la disa tinguj të ëmbël
me drithma të holla zemre.
Mundet ajo zogëz e largët,
të jetë kanarinë kafazi,
me krahët lidhur prej vitesh
brenda rrethimit me mur.
Ka dalë tani në fluturim,
për një shtegtim marsi,
dhe po pret dyzimin tim
që s’ka për t’i shkuar kurrë...
Ah, moj zemër e largët
që kërkon me drithërime,
sythin që të buisë për ty
shpërthimin e blerimit,
ku të paska shpënë ylli,
pikërisht te gjethja ime,
t’i kërkosh asaj klorofil,
në vjeshtën e pikëllimit!...