SHTËPIA E BRAKTISUR
Më zuri mbrëmja larg
në udhën e kujtimeve,
gjurmët më shpunë vetiu
te shtëpia jote e heshtur.
Të kërkova cep më cep,
moj shtojzovallja ime,
po s’të gjeta askund,
nëpër ajër ishe tretur.
Kishin mbyllur qepallat
dritaret dhe dera,
fantazma e kurbetit
mbante çelësin në brez.
Qefini me gjethe vjeshte
ishte shqyer nga erërat,
shkretimi kish përhapur
copa të zverdhura përreth.
Oh, ç’mu drodh zemra
sërish në atë truall,
ku më tërhiqje nga larg
me grepin e vetullës,
dhe flakët e fustanit
mbi gjunjët e zbuluar,
na ndiznin puthjet
nën gjethet e pjergullës.
Tani ato puthje i kishin
marrë zogjtë e avllisë
dhe kishin thurur foletë
në degët e rrapit të lartë.
Mbeta i goditur në shpirt
nga nostalgjia e djalërisë,
para asaj shtëpie të mekur
me trëndafila të tharë...
Eh, s’kthehet më kurrë
ajo kohë e paharruar
edhe po t’i lutem zotit
ditë e net pafundësisht,
sikur të zbraz breshër
nga sytë e pikëlluar,
se aty dashuria jonë
kish vdekur madhërisht.
Ti ike për të më lënë
në zemër shiritin e zi.
Po unë nuk di kush
më mallkoi kaq mizorisht,
të mbetem gjithë jetën
me imazhin tënd në sy
dhe i pangushëlluar
nga askush përjetësisht...