SHIRA LOTËSH MË TROKASIN NË SHPIRT
Nga hapësirat e njerëzve
që ndodhen në hall,
shira lotësh më trokasin
në shpirt pareshtur.
Unë i hedh në qiell
të bëhen breshër kokërrmadh,
të thyejnë tjegullat e çative
të fajtorëve të heshtur
Çative që u pikojnë strehët
çurgun e vajtimit,
nga viktimat e trafiqeve
të drogim - turpërimit...
Por çatitë ndërrojnë tjegulla
pas çdo breshërimi
dhe shtrojnë me beton
mbulesa shfajësimi.
Atëherë, kur do të shemben
çatitë e mashtrimeve,
nga tërmeti shkallmues
i të gjitha zemërimeve?...
Që shirat e lotëve
të pushojnë trokitjet në agim
dhe lastarët e diellit
të mbijnë në shpirtin tim...