NIMFAT E LIQENIT
Nimfat e liqenit artificial
të Tiranës,
shfaqen bashkë
me diellin e agimit.
Zbutin gjoksin
në cekëtinat e anës,
dhe shkriftohen
në barin e butë të pyllit.
Teksa mbartin përsipër
barrën e puthjeve,
me thembrat në supet
e qiellit kaltërosh,
digjen të përgjëruar
pas gjetheve tutje,
sytë e picërruar
të vështrimit thinjosh.
Ata me pengje
mes rrudhave të rënda,
të frenuar për orgji
me nimfa bukurie,
për të mos i parë
as netëve në ëndrra,
psherëtijnë tani
kur shullëhen në diell:
-Eh, të ndryshonte toka
kahjen rreth diellit,
të kthehej mbrapsht
numërimi i vjetëve,
të plotësonim dhe ne
ciklin me nimfa të pyllit,
nuk do do ta kishim fare
humbje fatale vdekjen!...