ZEMRA E HOMERIT
Nuk kam preferuar
të bëj poezi për poetë,
se ndoshta pasioni
më tingëllonte lëvdatë.
Por një gojëdhënë thotë
se para dymijë e ca vjetë,
një Çirçe zemërligë
zuri rob Homerin e lashtë.
Ajo i kthente në gur
kalimtarët e rastësishëm
dhe ngrinte me ta
murin e saj në oborr.
Zemra e bardit lëshonte
një lëng të çuditshëm,
që zbuste ngurtësimin
e trupit njerëzor...
Magjistarja u mundua
me ngulm të tepruar,
dhe kur s’mundi asesi
arritjen e dëshirës,
bardët dhe aedët përveç
s’i deshi të gurëzuar,
lejoi të kalonin në prona,
duke i rënë edhe lirës.
Sikur lëngun çudibërës
të zemrës së tij bujare,
të kishte mundësi sot
ta pikonte çdo poet,
do shkriheshin kudo
gjithë gurët e halleve,
dhe mirësia njerëzore
do lundronte në një det.