SAKRILEGJI I ARTISTIT
Artisti me artin magjik
dehu shpirtrat njerëzor.
Bëri këngën më drithëruese
se melodia e bilbilit,
bëri tablonë më purpurante
se ylberi qiellor,
bëri librin më fantastik
se brendia e pyllit.
Arti shpërtheu dritën
e fuqishme të rrezatimit,
nëpër hapësirat e etura
për vezullime me vlerë.
Rrezet e tij ndriçuan
skena e salla ekspozimi,
vetëtinë në çdo dritare,
trokitën në çdo derë.
Arti u duartrokit
nga shikues të shokuar,
u brohorit me ngazëllim
e me tonalitet superlativ.
U përdor pa lejen e artistit,
pa vlerën e paguar,
për të stolisur orët
në ekranët audioviziv.
Kënga shëtiti vokale
solistësh në aktivitete,
fansat e mbajtën
karamele gojë më gojë.
Shkoi të shitej nuse
me vello diskete,
derisa e kopjuan, e linçuan
dhe në tallava degjeneroj.
Piktura në ekspozita
magjepsi mijëra sy.
Priti fondet që përtypen
në bankete kulture.
Derisa syri i diellit
dhe syri i ciklonit me shi,
e verbuan tezgave,
përzier me paçavure.
Libri u copëzua shkollave,
dhe thuri intriga filmi.
U konsumua nga truri,
pa shlyer autorin më parë.
Doli në stenda panairi
me zbritje çmimi
dhe u shtri për pesë lekë
si fakir mbi trotuar.
Mbeti arti i vërtetë
mes pluhurit të rrotave,
mes dhëmbëve të minjve,
në mykun e rafteve.
Mbeti artisti i talentuar,
sakrilegj i kohërave,
të numëroj qindarkat
para urbanit dhe kafeve.