KODRA E VAJZËS
Ajo ishte dikur
një kodrinë e thatë,
mbuluar me shkurre
dhe shtuf për llaç,
ku bënin shkarpa,
vajzat dhe gratë,
të piqnin në verë
byrekët me saç.
Ndodhi në muzg
te shkurret e thata,
vajzën më të bukur
të fshatit e vranë,
teksa shkëmbente
puthjet e zjarrta,
me një bukurosh,
mustaqezi cigan.
Kaluan disa muaj,
asnjëra nga vajzat,
nuk shkoi të bënte
më shkarpa për saç.
Kodrina u trishtua,
nuk çelën më sfakat,
shkretimi e mbuloi
me ferra gjembaç.
Por fëmijët fshatit
thanë një pasdreke,
se kodra e shkretë
kish “Plasur së qari!”...
Rridhnin çurg lotët
e vajzës fatkeqe,
toka u lag dhe zuri
të mugullonte bari.
Vajzat dhe gratë
e atij fshati me puse,
rendën me gjyma,
dhe kova në krua.
shpejt Kodra e Vajzës
u lulëzua si nuse,
fëmijët përreth saj
e gjalluan si çdo grua...