LUGINA E BLERIMIT
Më ke mbetur në sy, moj luginë me blerime
dhe me nanurisjet e lumit kaltërosh në mes,
qëkur më prite me brohoritjet e zogjve në brigje,
atë ditë kur erdha nga Jugu i largët në mëngjes,
Për të rrezatuar filma me projektorin e parë,
në kohën kur ndonjëri turrej ta zinte për fyti,
nazistin e mitralozit “Shars” te perdja e bardhë,
që zbrazte batare plumbash pas një zgripi.
Te prehri yt prej gjethesh, fizarmonika ime rinore,
lëshoi tinguj të padëgjuar në ajrin e ngazëllimit,
për kërcimtarët me shallvare dhe opinga gome,
të marrosur për ritmet e daulleve të Shkumbinit.
Brodha ograjat e tua me pelerina ahu mbuluar,
ku më lanë pa mend stinët me ngjyra mahnitëse,
derisa i hodha nëpër telajot prej thasësh sajuar,
dhe t’i solla në mure sallash ahishtet shushuritëse.
Në zgavrat e një panje me fërfëllimat e ketrave,
më gumëzhiu si zgjua blete ai frymëzim djalërie,
të cilin e shumova në kosheret e mia të letrave
për të dhuruar kavanozët e parë me mjalt poezie.
Pastaj romani për sharrëtarët e pyjeve të largëta,
ishte pitja e madhe nga kosheret e kësaj gjinie,
që ëmbëlsoi gjithë sharrat ku çaheshin dërrasa,
dhe ma çoi emrin kudo, nëpër vitrina librarie.
Më tej, te oda e re e kulturës, më vure kryemik,
të mblidhja rreth vatrës amatore të parat talente,
të prisja miqtë e qyteteve, me ushqimin artistik,
për Librazhdin e sapokrijuar, në sallën me qeleshe.
Nga degët e artit, më hodhe te arkivat e historisë,
të gërmoja zakonet e tua dhe luftërat e përgjakta,
për të ngritur muzeun që i priu vazhdimësisë
me stendat e shpalosura nëpër të gjitha fshatrat.
Sakaq, nën atë rrip qielli me ngushtësi pullazi,
shtrydha gjithë orët boshe për studime së largu,
që me diplomën e mësimdhënësit të gjimnazit,
të plotësoja dijet për të cilat më brente meraku.
Dhe farëzat e muzave, nga ato greko-romake,
gjer te bashkëkohësia, me mijëra faqe e reshta,
t’i mbolla në kujtesën e bijve të një gjenerate,
që më ndoqi me sy të vezulluar nga kureshtja.
Ndonëse në sofrën arsimore, shteti me kurnacëri,
më dha vetëm bukën e gojës, për dyzetë e ca vjet,
njerëzit e tu, zemër - hambar, më falën atë dashuri,
që nuk e dhanë për asnjë kryeministër a president.