PASURI E GJAK
Disa shqipo duarthatë
dhe krenar të dikurshëm,
tani u pasuruan
me trashëgime nga etërit.
Por dhe nga dhelpëritë
e rrëmbimit të bujshëm,
në toka, ngastra rëre,
dhe shtëpi të njëri-tjetrit.
Ndodh të yshtur
nga xhindet brenda kokës,
sajojnë letra të rreme
me falsitete djallëzore,
të rrëmbejnë si me magji
gjelbërime të tokës
dhe hijet e mureve
të lashta stërgjyshore.
Më pas xhindet e sherrit
u këndojnë në vesh
rapsodi nga eposi kreshnik
i Mujit e Halilit.
Krahët e marrëzisë
u mbijnë në gjumë shpesh,
për të nxjerrë papritmas
shpatat jashtë millit.
Pasi nuk arrijnë
të ndajnë sherrin e pleksur,
përgjojnë e presin
shfrimin për gjakmarrje.
Derisa të shpallen vrasjet
nga komisionet e mekur,
dhe nga gjykatësit
e zvarritjeve shumëvjeçare.
Duket sikur etërit kishin lënë
dhe mallkimin e zi:
Mos u ngopshi kurrë
me pasuri e gjak, or bij!...