KUMARXHIU I SËMURË
Në lagjen ku jetoj,
një kumarxhi i “çmendur”,
luante me fatin e jetës
fare pa përgjegjësi.
Pasi zbrazi në pusin
e marrëzisë së Lekut,
të gjitha vlerat që pati
trashëguar në pasuri,
Tentoi të shiste tinëz
dy fëmijët dhe gruan,
për të rifituar njëherësh
krejt humbjet në bixhoz!
Por e shoqja s’e pranoi
atë lojë të maskuar,
që synonte t’i bënte
familjes, ai karagjoz.
Atëherë ai vodhi
babanë e moshuar
dhe paratë i hodhi
sërish në pusin e fatit,
me shpresë të kapte
një dorë të shumuar,
në mbrëmjen e fundit
të fitores së mëkatit.
Por në kulmin e manisë
të fitonte ca më tepër,
humbi dhe ç’kish kursyer
plaku me pikatore.
Kur pa se vetëm vetja
i mbeti për gropën e ruletës,
shkoi u var me litar
mbi gropën e nevojtores...