NATA E VERBËR E TRADHTISË
Ku vallë të zuri mbrëmja sonte,
në cilin shtrat pushon kurmi yt?
Këtë natë të verbër, kur tradhtove,
në ç’sy të tjerë i ke ngulur sytë?...
Në cilin dyshek ke shtrirë këmbët,
të shfrysh kësisoj zemërimin e vjetër?
Kujt i zbraz në gjoks frymën e ëmbël,
dhe ngroh gjoksin tënd me frymë tjetër?
Ç’tinguj zemre të dëfrejnë shpirtin,
të mbetesh gjatë gjithë natës zgjuar,
kur meloditë e zemrës që të tërhiqnin,
ke flakur tej si kitarën e ç’akorduar?
Pse psherëtive pranë jastëkut ngjitur
dhe befas puthjet të thartuan shijen,
trupi i përndezur t’u akullua papritur,
dhe vështrove dritaren sikur të thirrën yjet?
Pastaj pendimi, pse aq fort të tronditi,
sa shpirtin e ndjeve të dërmuar në shtrat?
Nga të gjitha kujtimet, ty kush të goditi,
që i shkave epshit nga duart nëpër natë?...
Këtë dua ta di, o shpirt i zhyer në mëkat!...