ZANA E BJESHKËVE
Kisha ëndërruar dikur, në moshën rinore,
të bëhesha dhëndër me një zanë bjeshke.
Dhe si ylber, harkuar mbi malet mjegullore,
kërkoja imazhin e saj, në purpurime vjeshte.
Zbrita te mrizi, me lentën e qiellit në duar,
të dalloja sytë e saj, me valëzim të kaltër.
Lisat e moçëm thanë, zana e fundit qe martuar,
para pak kohësh, me një princ të largët...
Atëherë psherëtiva, sa më erdhi logu vërdallë:
Ah...fati im qenka shituar nga zanat e bjeshkëve
dhe zemra ime e përgjëruar për atë bukuri të rrallë,
s’ka për të provuar dashuri tjetër, gjer në vdekje!...
Po si do mund ta ngrysja beqar të gjithë jetën,
pa gjetur bukurinë e një zane të pamartuar?
Ndoshta s’do të kishte më kurrë një femër tjetër,
aq të magjishme, si ajo zanë e ëndërruar?...
Nga pikëllimi i thellë, lëshova sytë e përlotur,
në rrugën e lagjes së vjetër, me gurishte asfalti.
Atë çast, dora adoleshente e një fqinje të vogël,
më fshiu lotët, me ca gishta, si fasha mëndafshi...
Kur vështrimi i turbullt m’u kthjellua tek sytë,
ajo buzëqeshi ëmbëlsisht e më puthi në faqe...
Oh, ku ishe, moj zanë e vogël, me shpirt të dëlirtë?
Mos ke zbritur nga bjeshkët, për mua në këtë lagje?!...