O GJENERAL PIRO I EPIRIT
Në krye të njëzet shekujve, nga vdekja sipër kalit,
o i madhi gjeneral Pirro, bir i mbret Bardhylit ilirian,
po vendos sot për ty, mbi tullën simbolike të varrit,
dy trëndafila diellor, nga muzgjet Adriatik e Jonian;
Për vringëllimat e shpatave ilire, nga Apolonia, në Vardar,
deri poshtë kufijve jugor, buzë brigjeve të Peloponezit,
ku tridhjetëmijë kalorës ushtrie, me elefantë luftëtarë,
thërrisnin: “Pirro Shqiponja”, deri në Romën përtej detit.
Dy trëndafila diellor, për fitoret, pritur me kurora dafine,
o mbret i goditur në kokë, nën ballkonin fatal të Korintit,
me tullën e nënës hakmarrëse, të djalit vrarë në luftime,
ku fitoret mbi romakët, ti i mbylle, me humbjen e shpirtit.
Ke pasur vdekje fatlume, pa goditje me tullën e tritolit,
se s’do kish mbetur për varr, as nishani i eshtrave të tua,
që sot bëhen pluhur, nga vdekja moderne e Albanopolit,
pa lënë shenjë, ku të vajtonin prindërit me të zezën grua...
Sot, o gjeneral Pirro, vdekja nuk ndodh për fitore lufte,
por për larje hesapesh, nga borxhet e drogës në biznes
dhe nga urrejtja politike, për të arritur fitoren mbi kolltuqe,
pa u zbuluar tulla e tritolit, vënë nga vrasësit me pagesë.
Pate fat, o Gjeneral, që s’linde në Apoloni 20 shekuj më pas,
se emri të qe harruar pas njëzet ditësh dosjeve të drejtësisë,
si trafikant që fiton para dhe i humb pa vënë buzën në gaz,
në vend të fitoreve famoze, si mbret i Epirit e Maqedonisë...
Lavdi të përjetshme për ty, i pavdekshmi gjeneral Pirro ilirian!
Për ty, do çelin çdo muzg dy trëndafila, detet Adriatik e Jonian!