BUBULLIMAT E GJOKSIT TË NËNËS
Isha vogëlush, afër moshës së një djali
dhe koha e krismave të tmerrshme ishte.
Në qiell, disa korba me krahë metali,
lëshonin mbi tokë glasa shpërthyese.
Nëna lau teshat me finjë nga hiri i zjarrit
dhe i vuri të thahen mbi shkurret e lumit.
Mashtruar nga ngjyrat dhe tymi i kazanit,
korbat u shfaqën befas me mitralime sulmi.
Vinin rrotull qiellit, sharronin degët e gurët
dhe tym e pluhur u bë gjithçka përqark...
Nëna më rrëmbeu, si skifteri zogun e pulës,
më mbështolli me trup, më futi prapë në bark...
“E mjera unë, do më vrasin djalin!”gulçonte,
me frymëmarrje të thellë strukur nën shkurre
dhe zemra në gjoks me gjëmim i bubullonte,
sikur te daullet e veshit më binte një daulle.
Atë daulle alarmi, të heshtur larg ndër vite,
kujtoj me mall, kur shoh fëmijë të asaj moshe...
Oh, gjoksi i nënës me bubullima të dridhshme,
kish brenda të gjitha dhembshuritë e kësaj bote...