MOS MË PYET PËR ATË GRUA
Or mik, mos më pyet
pse dua vetëm atë grua,
qysh kur më zgjodhi për
yllin e ëndrrave vajzërore
dhe e adhuroj njësoj
si në zenitin e përvëluar,
edhe tani që dielli i saj
zbret në muzgje nusërore.
Or mik, mos pyet pse syri
nuk më shkon te vajzat,
që në buzë e në gjokse
u shpërthen gazi petale,
por vetëm tek ajo grua
që dhe në stinët e acarta,
largon gjithë retë e zymta
me kthjellime fjale.
Or mik, mos më pyet
pse mendjen e kam fiksuar,
tek ora ku ndjenjat na flenë
mbi akrepin e njëra-tjetrës,
kur dëgjoj tik-takun e sekondave
mbi frymën e shpejtuar
dhe i vij rrotull për çastin
tjetër të dymbëdhjetës.
Or mik, mos më pyet për erën
me të cilën ajo grua,
flladit gjethet dhe zgjat
degët e lisit tim të vjetër!
E mbaj ngjitur me trungun,
se ajo u bë pjergull për mua
dhe nuk mund të shkëputemi,
për asnjë lloj lirie tjetër!...