BISEDA E ZOGJVE
M’u desh të mësoj
gjuhën e zogjve për disa vjet,
t’i jepja vargut poetik
ëmbëlsinë e bilbilit këngëtar.
Sot dëgjova si bisedonte
zogëza me zogun e vet,
teksa cicëronin duke plapuritur
krahët fluturimtarë:
“Çudi, tha zogëza, këta njerëzit,
dashurohen marrëzisht,
por grinden shpejt
dhe ndahen si skifterë të egër,
pasi kanë ndërtuar folenë
të dy bashkërisht,
lënë të vegjlit jetim,
ende pa dalë nga vezët...
Ndoshta, tha zogu, kanë marrë
zakonet e qyqeve vajtimtare,
për t’i lënë vezët
në fole të tjera, aty këtu,
këndojnë, si ne bilbilat,
për dashuri familjare,
po s’jetojnë dot pa çuçuritur,
si beqarë dru më dru...