TË ISHA BIR I GRUAS SIME
Jemi në vjeshtën
e fjalëve të arta,
kur dashuria me gruan
bëhet foljore.
Tani të gjithë zogjtë
e puthjeve të zjarrta,
mbetën në hemisferën
e viteve rinore.
Tek shoh sesi gruaja
përgjërohet për bijtë,
si merr impulse force
nga sytë e tyre,
si dielli gëzimit i hedh,
nëpër faqe dritë,
si stina e ndjesive i çel
vetëm lule amësie;
Sesi, duke dremitur
me njërin sy hapur,
bluan me psherëtima
në trurin e pagjumë,
problemet e ndonjërit
nga andrallat kapur,
ndonëse algjebra e saj,
nuk i zgjidh dot punë;
Sesi qiejt elektronik,
shkund me celularin,
si mbush pa përtim
çantat e furnizimit,
si i del përpara
të rrokë përqafe djalin,
si e puth me të gjithë
energjinë e shpirtit;
Dhe si për bijtë është gati,
të shkrihet e tëra,
për të pasur kuzhinën
më të shijshme të vaktit,
duke përgjuar
trokitjet e tyre tek dera,
të shtrojë tryezën
apo çarçafët e shtratit;
Them, pa zili
për pjellën e përbashkët,
dhe pa keqardhje
se tepron shpenzime,
por duke psherëtirë,
me gufimin mirëdashës:
Ah, sikur të isha tani,
bir i gruas sime!...