HAPUNI PORTA TË KOMBIT TIM !
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim,
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore!
Hapuni, o porta të rënda të kohës së hershme të gurit,
porta iliriane të gdhendura nga trungjet e fortë të lisit,
porta mesjetare të rrethuara me avllitë e larta të murit,
porta qëndrese me frëngjitë e kullave vigjiluese të fisit!
Hapuni, të dalim në oborret me diell për të pritur nusen,
mbi kalin e bardhë me bajrakun e shqiponjës dykrenore,
të festojmë sa të gjëmojnë malet nga daullet shungulluese,
të pimë dollitë me njëqind shëndete në sofrat vëllazërore!
Hapuni, o porta kosovare në Veriun e Eposit kreshnik,
porta çame në Jugun e valles magjike të Osman Takës,
porta shkupjane ku majëmalet ndrisin më herët në agim,
porta ulqinake ku dielli perëndon mes kuqëlimit të flakës!
Hapuni, të çlodhemi në dy dete e në dy burime të Drinit,
të çmallemi me vëllezërit tanë në të katër stinët e motit,
të dëfrejmë së bashku nga Pramëthia në brigjet e Ulqinit,
të na puthen të rinjtë në të katër puthitjet e horizontit!
Hapuni, porta mikpritëse për gjithë miqtë e këtij vatani,
vështrimin e penguar ta hedhim më së fundi gjerë e gjatë!
Se ndarja me hanxhar e trojeve nga kasapët e Ballkanit,
nuk ndodh më kurrë në këtë tokë ku jemi krijuar bashkë.
Hapuni, në çdo kanat, o porta të lashta të kombit tim!
Se na thërret të gjithëve nënëmadhja jonë arbërore,
të ribashkohemi si bijtë e saj të zanafillës në krijim,
këtë fillim shekulli, kur po afrohen shpirtrat njerëzore!