DY ËNDRRAT
Pata fragmente vegjëlie
me trishtim të gjatë,
kur dëshirat m’i bluante
mulliri i urisë kronike.
Një biçikletë të zezë
më sillte ëndrra përnatë.
Fluturoja me të
në lartësi kozmike.
Pedaloja mes reve
dhe zogjve sa më larg,
duke lënë prapa
gojën e zjarrtë të oxhakut,
kur turrën e shkarpave
mblidhja nëpër vapë,
të piqte nëna në saç
misërniken e pakët.
Ato çaste toka e thatë
më dukej vetëm misërnike,
ku shuaja pickimet
e gjarpërinjve të barkut.
Qielli i kaltër ishte
biçikleta e zezë kozmike,
ku shuaja kryedëshirën
e ëndrrave të pragut.
U rrita duke pritur
të më mbin krahë shpendi.
Por biçikleta e zezë
erdhi bashkë me burrërinë.
Pas kësaj zura të shoh
një ëndërr që më çmendi,
sikur me veturë të bardhë,
bëhesha vetëtimë.
Për të mos mbartur
tonelata peng në jetë,
ëndrrën e dytë e arrita
me kursimet nga berberi.
Tani lutem: O zot,
vono ëndrrën e tretë,
fluturimin me aeroplan
drejt botës prej mermeri!...