SHTRATI I PERËNDISË
Kam një shok fluturak
që ka bredhur botën,
dhe ka ecur më shumë
në qiell se në tokë.
Qejfeve kurdoherë
u ka ngrënë kokrrën,
dhe shpesh ka trokitur
me djallin ndonjë gotë.
Thotë, ka fjetur në dyshekun
masazhist të Manhatanit,
te shtrati pupëlor i Dubait
ku digjen shtatë yje,
ka bërë gjumin kolovitës
te djepi qiellor i aeroplanit,
por askund nuk ka gjetur
atë shtrat perëndie,
Si atëherë kur kish dalë
me çorape në fshehtësi,
të takonte vajzën zbathur
mes misrit në mesnatë.
Mikes i kishte shtruar
nënvete xhaketën e tij,
ishin shtrirë në një kanal
me bar të thatë.
Mjegulla i kish mbuluar
me çarçafin e ftohtë,
nektari i puthjeve
u përzihej me pikla vesë,
rrëketë e arta të yjeve
u vetëtinin mbi kokë,
në atë shtrat perëndie
që s’e harron sa të vdesë...