KU KE SHKUAR E ZEMËRUAR?
Ku shkove mbrëmë, ashtu e zemëruar,
moj mbretëresha ime, Afërditë?
Cilat hije nate
mbuluan fytyrën tënde diellore?
Në cilën parcelë mollësh
ishe përzier me kokrrat e kopshtit kozmik,
kur shkunda gjithë degët e mollëve qiellore?...
Pasi nuk të gjeta dot as mes gjetheve
të mjegullnajave purpurake,
nga trishtimi,
bëra skandalin më të madh të humbësit,
përmbysa gjithë arkat e mollëve yjore
të kësaj mesnate,
duke të kërkuar çmendurisht,
nëpër të gjithë Udhën e Qumështit.
Pastaj erdhi dita e sotme
dhe më gjeti përmbys duke lotuar.
Solla në imagjinatën e përfytyrimit,
çastet kur muzgu të mbështolli
me pelerinën e vet të kuqëluar
dhe të mbuloi
me çarçafët e zinj të perëndimit...
Atëherë klitha me britma rrufeje,
dhe thirra gjithë shirat e vjeshtës
të vajtonim humbjen tënde me përlotje.
E mori vesh qielli tejpërtej,
se pa ty nuk jetoj dot i vetëm,
në asnjë gravitet, apo hapësirë boshe.
Nga dhimbja, dërgova dy meteorë
goditën kambanën e hënës.
Ndoshta ke dëgjuar, jehonat e saj,
vazhduan deri në agimin e kësaj dite!
Ah, mos qoftë thënë nga orakujt e gjëmës,
të më vijnë stinët e tjera,
pa buzëqeshjen tënde kozmike...
Dil, të të shoh ku je futur,
moj mbretëresha ime, Afërditë,
mos më lër të fundosem
nëpër errësira funddetesh!
Dil, ku ke shkuar e zemëruar,
se më ke lënë të verbër, fare pa dritë?...
Të paktën më tund
një shami të bardhë komete!...
Ah, moj mbretëresha ime e bukur,
ta dish, sa thellë jam penduar!...