GJARPRI I SHTËPISË
Gjarpri i shtëpisë bashkëjeton me njerëzit
dhe i ka frikë ata, më shumë nga sa e kanë.
Por nuk i pickon, nëse nuk i prekin brezin,
që zgjat natën, të kapë minj në çdo anë.
Kohët tregojnë se edhe njerëzve të shtëpisë,
u fle brenda vetes një gjarpër kutullaç, i zi.
Ndryshe si shpjegohet kur në familje e fis,
dikujt i zgjohet gjarpri, të vrasë njeriun e tij?
E tmerrshme të mendosh, nëna rrit gjarpër në gji
dhe vëllai puth e përqafon gjarprin e vet binjak.
Nuk ka humnerë më të thellë, ku bie ai njeri,
që bëhet gjarpër, pasi ka dalë nga i njëjti bark!...
Kur nusja bëhet gjarpër helmues për vjehrrën,
apo burri fle në një dyshek me nënën e fëmisë
dhe mban gati helmin e pickimit të tmerrshëm,
duke u bërë më i rrezikshëm se gjarpri i shtëpisë!...
Me sa duket këta janë disa shtazorë të vonuar,
në evolucionin e kalimit në njeri, të kafshës
dhe për të shmangur kafshimin, duhen trajtuar,
me zinxhirin prej çeliku, të lidhur rreth qafës...