VAJZA ENGJËLLORE E UNAZËS
Mbaj mbi shpinë dhjetëra dimra me acare,
me rrokullisje shkëmbinjsh nëpër lumin tim.
Te stacioni i unazës një bukuri njëzetvjeçare,
nguli sytë tek unë, me vështrimin intim...
Nuk ishte nga “ato” që u lexohet te balli,
kur hipi në autobus tregoi abone studenti.
Te mbajtëset m’u ngjit, si në gjoksin e një djali,
avullonte ngrohtësi, me përndezje momenti.
Vajza nënqeshi ëmbël, shkoi dorën në gushë,
kafshoi buzën dhe shtjekëzat njomi disa herë.
Me bisht të syrit, druhesha mos i dukem pusht
dhe u stepa përballë saj, si një trung i prerë.
Vura re tinëz linjat e hajthme të trupin lozonjar,
gjoksin, ku plapuriteshin dy zogj nën këmishë,
cipën e hollë të ballit, ku pluskonte një damar,
dhe përsosmëritë e Zotit, si skulptor mrekullish.
Më shigjetoi gjatë me sy zjarrmëtarë të ndezur,
tek mbeta ngurosur, si manekini mes një vitrine...
Kur zbritëm, u ndamë me një buzagaz të heshtur,
por gozhda e saj, u ngul thellë në mendjen time.
Nuk kuptova pse u magjeps ajo vajzë prej meje,
dhe ndoshta s’kam për ta kuptuar asnjëherë.
Ç’farë priste nga një fytyrë dimri, me flokë reje,
ajo fytyrë engjëlli, me trupin lastar në pranverë?...