NUK HA BLEGËRIMA
S’kam pasur e nuk kam
fiksime vegjetarianësh,
por nuk ha blegërima qingji
dhe as oreksi s’mi pranon.
S’dua të përtyp gjakderdhjen
e thikave të kasaphanës,
dhe të bëhem shije-ngrënës
i pafajësisë së njomë.
Mishin e butë që qingjit
ia dhuron bujarisht tërfili,
mund ta ha të pagjakosur
nga lëpjetat në livadhe,
ta marr nga spinaqi, radhiqet,
nga çdo njomishte prilli,
me të gjitha llojet e kalorive
dhe të kripërave minerale.
S’dua të ha mish qingji
as në tradicionalet festa,
të ndjej pastaj në shpirt
vajtimet e nënave dele,
që shkundin retë e dhimbjes,
nga shpinat e leshta,
kur turfullojnë me gjinj
të papirë nëpër mjelje.
Nëse duhet ndonjë
vajtojcë kafshërore të qajë,
më mirë rrallë herë
le të pëllasë nëna lopë.
Se mish viçi njeriu
është i detyruar të hajë,
kur të gjitha barishtet
i ka kapërdirë dimri ciklop.
Kurse deleve, dua t’u fal
një vathë me blegërima qingjash
dhe t’i dhuroj kujtesës sime
ca vjet kthjelltësi pa sklerozë.
Që të mos e ftoj vdekjen,
mikeshë në arteriet e mia,
me kolisterolin që e bën zemrën
të ngjiret si bretkosë...