ECJE E PANDALSHME
Eci ditën dhe natën,
në dimër e në verë,
pa ditur ku ndodhet
finishi i rrugës sime;
mbase gjendet në fund
të një oqeani të thellë,
ndoshta prapa Hënës,
ku s’ka fare agime...
Eci me gjurmët
e padukshme të erës,
shkel me kërcinjtë
e ujshëm të shiut,
fluturoj me flatrat
e avullta të reve,
nga poli i jugut,
në akujt e veriut.
Kam treçerek shekulli
në këtë ecje revan,
paralelisht me dritën,
krah rrezeve diellore,
përshkoj çdo paralel,
kapërcej çdo meridian,
akrepat e orës janë
vërtitjet e mia kohore.
S’jam endacak pa strehë,
as pa vatër familjare,
kam dhe në Antarktidë,
një shtëpi prej akulli,
në Madagaskar një jaht
ka fjetjen time detare,
më pret kudo në glob
shtrati bosh i një orakulli;
Eci, sepse qëkur linda,
kam përbrenda trurit,
një pergamenë gjaku,
me mision të shkruar,
ku një fuqi madhore
më ka lënë urdhrin
dhe itinerarin jetësor,
në gen të programuar;
Dhe s’ndalem gjersa shirat
të më gdhendin emrin,
në kujtesën e pavdekshme
të erërave dhe reve.
Vetëm pas trokut sfilitës
në skajet e çdo vendi,
truri dhe zemra do ndalen,
në prehjen e përjetshme...